Një operacion i Guardia Di Financa në Padova të Italisë, ka arrestuar tetë persona teksa ka sekuestruar 10 kilogramë kokainë. Bëhet fjalë për një grup kriminal shqiptaro-italian, ku mes të arrestuarve janë 5 shtetas shqiptarë, 2 tunizianë dhe një italian, ndërsa 30 persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, krerët e kësaj bande vepronin nga Shqipëria ndërkohë që kishin shtrirë aktivitetin e tyre në të dy vendet. Përfshirja në një grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, mbajtjen dhe tregtimin e kokainës janë vetëm disa nga akuzat e ngritura nga autoritetet italiane ndaj 8 të arrestuarve. Kokaina dhe heroina trafikoheshin përmes automjeteve, ku droga fshihej në pjesën e pasme të makinës, ndërsa këto mjete udhëtonin në tokë ose det me traget. Anëtarët e këtij grupi kriminal komunikonin me telefona të koduar dhe për këtë arsye ishte e vështirë përgjimi i tyre. Veprimtaria kriminale për sa i përket territorit italian ishte e shtrirë midis Padovës, Milanos dhe Venecias, ku ndodheshin edhe anëtarët e këtij grupi. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, grupi furnizohej me drogë kryesisht nga Shqipëria. Në operacionin e saj, Guardia di Financa ka sekuestruar edhe 30 mijë euro.