Kryeministri Rama inauguroi ditën e djeshme Qendrën e re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, por kjo nuk u prit mirë nga shteti Rus, nga ku ka patur edhe reagime për sulme të mundshme kibernetike që do nisin nga Shqipëria.
“Kjo qendër i bashkëngjitet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, një tjetër projekt madhor për mbrojtjen në botën digjitale, me një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve tona të informacionit, e ngritur falë mbështetjes së SHBA-së. Nëpërmjet Qendrës së re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, synohet ndër të tjera të forcohen kapacitetet kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përmes zbatimit të projekteve inovative dhe integrimit të teknologjive të avancuara, si dhe të nxitet zhvillimi i një ekosistemi të inovacionit në siguri dhe mbrojtje”, u shpreh Rama.
Po këtë të mërkurë, Rusia ka reaguar me anë të zëdhënëses të Ministrisë së Jashtme të saj, Maria Zakharova, e cila ka akuzuar NATO-n dhe BE-në se po zgjerojnë qendrat e tyre kibernetike të orientuara për sulme ndaj Rusisë.
Zakharova deklaroi se një qendër e tillë po hapet edhe në Shqipëri, duke pretenduar se misioni i qendrës do të jetë që të ndihmojë në “krijimin e një imazhi negativ për Rusinë”.
Po ashtu, Zakharova paralajmëron se në këtë formë, po krijohet një tjetër burim kërcënimesh hibdride në Ballkan, duke shtuar se “rajoni ka tepër probleme politike”.