Në një ditë si sot dhe pikërisht më 10 tetor 1972, u themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Me dekretin nr. 4993 të Presidiumit të Kuvendit Popullor u themelua institucioni më i lartë kërkimor shkencor në vend, si rezultat i përpjekjeve të palodhura të Prof. Aleks Buda, i cili u emërua dhe kryetari i parë i tij. Mbledhja e parë e Asamblesë së ASHSH u mbajt më 25 janar 1973. Midis themeluesve të tjerë që spikatnin ishin: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Petrit Radovicka, Kolë Popa etj. Në fillesat e saj, Akademia kishte 17 anëtarë të rregullt dhe 5 anëtarë korrespodentë. Akademia funksiononte me një varg institutesh të shkencave shoqërore dhe albanologjike, si edhe të shkencave natyrore dhe teknike. Aktualisht, Akademia ka në radhët e saj 30 anëtarë akademikë dhe 13 institucione kërkimore. Mes funksioneve kryesore të Akademisë bëjnë pjesë: kyerja e studimeve dhe kërkimeve me karakter teorik e praktik në fusha të ndryshme të shkencave shoqërore albanologjike, natyrore e teknike dhe mundësimi i zbatimit të këtyre studimeve në praktikë, bashkëpunimi me universitetet dhe institucionet e tjera kërkimore dhe organizimi i veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare që lidhen me shkencën.