Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Anastasi ka vizituar kryeqytetin e Greqisë me ftesë të kryepeshkopit të Athinës dhe gjithë Greqisë, Jeronimos. Ai do të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare shkencore të organizuar nga Sinodi i Shenjtë dhe Kisha Greke me rastin e 100 vjetorit të revistës fetare “Teologjia”. Ajo që bie në sy është pritja e rangut të lartë që i është bërë Anastasit që në aeroportin e Athinës.
“Kryepeshkopi Anastas u prit në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës “Eleftherios Venizelos”, i shoqëruar nga Nënkryetari i Komitetit Organizativ të Konferencës, Mitropoliti i Kalkidos Chrysostomos, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Komunikimit dhe Edukimit të Kishës së Greqisë (E.M.Y.E.) dhe Sekretari i Komitetit Organizativ, Alexandros Katsiaras dhe në emër të Shtetit, Sekretari i Përgjithshëm i Helenizmit dhe Diplomacisë Publike Yiannis Chrysoulakis”, njoftojnë mediat greke.