Shën Spiridhoni dhe rrugëtimi i trupit të tij nga Kostandinopoja në Krujë, Durrës e deri në Korfuz…

Shën Spiridhoni, një shenjtor i madh dhe mrekullibërës i Kishës Orthodhokse, lindi në Trimithundë të Qipros në vitin 270, p.e.s.

Për hir të përulësisë dhe përdëllimit Zoti e stolisi me shumë dhurata dhe veçanërisht me atë të mrekullibërjes.

Në Sinodin e Parë Ekumenik të Nikeas, në vitin 325, Shën Spiridhoni i çuditi të gjithë etërit e shenjtë  me mrekullinë që bëri në sy të tyre (318 etër) dhe turpëroi Ariosin heretik dhe pasuesit e tij, të cilët mohonin Trininë e Shenjtë. Ai u shfaq para Ariosit dhe i tha: “Pse nuk beson që Perëndia është një në tre Persona!? Ja ta tregoj”. Dhe mori një tjegull dhe i tha:

– Sa kam në dorë?

– Një tjegull,- iu përgjigj Ariosi.

– Atëherë, shiko!

Dhe shën Spiridhoni bëri kryqin dhe tha: “Në emër të Atit”- dhe nga tjegulla doli zjarr; pastaj “në emër të Birit”- dhe nga tjegulla doli ujë dhe ra poshtë; “dhe të Shpirtit të Shenjtë.” – dhe në dorë  i mbeti argjila. “Kështu si kjo tjegull, që ishte një, por në tre elemente: zjarr, ujë dhe argjilë; kështu dhe Perëndia është një në tre Hipostaza (Persona).

Shenjti bëri dhe shumë mrekulli të tjera, sipas sinaksarit ai shëroi perandorin Konstand (337-361), djalin e Kostandinit të Madh, nga një sëmundje e pashërueshme. Ngjalli birin e një vejushe, e cila, kur pa djalin e saj të gjallë, vdiq nga gëzimi; shenjti u lut përsëri dhe ngjalli nënën e djalit. Thirri nga varri të bijën, Irenën, që i vdiq papritur, që ajo t’i tregonte se ku e kishte vendosur byzylykun e artë të një fqinje, e cila ia kërkonte shenjtorit. E vdekura iu përgjigj nga varri dhe i tregoi vendin se ku e kishte vendosur stolinë. Pastaj shën Spiridhoni i tha: “Fli në paqe, bija ime, deri në ngjalljen e të vdekurve!”. Ndaloi rrjedhën e lumit për të kaluar. Zbulonte mëkatet e fshehta të njerëzve dhe i nxiste të pendoheshin. Kur meshonte, e ndihmonin në mënyrë të dukshme engjëjt që psalnin bashkë me të. Kthehu një gjarpër në flori dhe ia dha si peng një të pasuri për të shpëtuar një të varfër, që i kishte borxh të pasurit. Kur i varfri ia ktheu borxhin të pasurit, e mori gjarprin e florinjtë përsëri dhe me lutjet e shenjtit u kthye përsëri i gjallë dhe u fut në vrimën nga kishte dalë. Zgjidhi nga lidhjet e padukshme disa hajdutë që donin t’i vidhnin kopenë që e mbante për ekonominë e kishës, por mbetën të paralizuar gjithë natën. Në mëngjes, kur i gjeti ashtu, i zgjidhi me lutjen e tij dhe i këshilloi të mos vidhnin më, madje iu dha nga një dash si shpërblim për mundimin dhe ankthin e tyre.

Mbasi bëri shumë mrekulli, (vdiq) fjeti në Zot, më 12 dhjetor të vitit 348 në Trimithundë. Lipsani (trupi) i tij mbeti i paprishur dhe mbante aromë të mirë, si një shenjë e shenjtërisë së tij të madhe. Në shekullin VII pas Kr, trupi i paprishur u vendos në Kostandinopojë deri në vitin 1453; por, kur më 29 maj 1453 Sulltan Mehmet II me ushtrinë e tij të madhe pushtuan Kostandinopojën, që ai e mbiquajti Instambul nga britmat e bizantinëve që thoshin për ushtrinë osmane që hyri në qytet: Is tin poli (brenda në qytet).

Edhe lipsani i shën Spiridhonit  rrezikohej të përdhosej. Sinaksari tregon se një prift i devotshëm, Grigor Paramithi, me origjinë nga Epiri, u vesh si fshatar dhe e ngarkoi lipsanin e shën Spiridhonit në një karrocë me bar dhe kaloi portën e qytetit pa u diktuar.

Duke kaluar nga rruga Egnatia që lidhte Lindjen me Perëndimin,  lipsani i shën Spiridhonit erdhi në territoret e Epirit dhe të Arbërit. Vendi ku u vendos dhe qëndroi i mbrojtur lipsani i shën Spiridhonit  ishte mali i Krujës në një shpellë, që sot njihet si teqeja e Sarisalltikut. Kjo vërtetohet nga fakti se krutanët (bektashinj), në shtëpitë e tyre mbajnë  ikonën e shën Spiridhonit, me rroba kryepriftërore  ngjyrë jeshile e me kryqe dhe e quajnë Sarisalltiku dhe e festojnë në 12 dhjetor, në ditën e shën Spiridhonit, lipsani i të cilit  qëndroi deri më 1456 në shpellën e malit të Krujës dhe ka qenë mbrojtje dhe mrekullibërës për ato kohë të vështira.

Meqenëse Arbëria dhe Kruja ishte vende të pasigurta nga sulmet e otomanëve, që u përpoqën ta pushtonin me tre rrethime dhe më në fund me rrethimin e katërt të Krujës në vitet 1476-1478, në vitin 1456, prift  Grigori Paramithioti e transferoi lipsanin në Durrës. Atje ka qëndruar një natë derisa e morën me anije në mëngjes, për në Korfuz që ishte një vend i lirë në juridiksionin e Venedikut.

Thuhet nga gojëdhënat se besimtarët që shoqëronin lipsanin, kërkuan një anije që ta çonte lipsanin në Korfuz, por kapiteni nuk pranoi sepse kishte ngarkesë për në Itali. Sapo doli në det, i kapi një furtunë e papritur që i detyroi të ktheheshin në Durrës të shkarkonin ngarkesën dhe të merrnin lipsanin dhe ta çonin në Korfuz, të shoqëruar edhe nga shumë besimtarë nga Durrësi.

Në vitin 1590, në Korfuz u ndërtua një kishë e madhe për nder të shenjtorit, në të cilën ndodhet lipsani i tij i paprishur, që nderohet nga besimtarët dhe është burim mrekullish.

Për gati 1700 vjet lipsani i shën Spiridhonit është i paprishur, jo i balsamosur; është Hiri i Perëndisë që nuk e lejon të dekompozohet.. Trupi i shën Spiridhonit ka mbetur i paprekur përgjatë shekujve. Ai ruan temperaturën e një trupi të gjallë dhe mishi është i zhdërvjellët. Tabanët e këpucëve në këmbët e shenjtit janë gjetur të përdorura, si të veshura herë pas here. Ekziston një legjendë që shenjtori lëviz me trup  në  botë dhe ndihmon njerëzit në vuajtjet e tyre. Kështu, këpucët ndryshohen herë pas here, dhe ato të vjetrat shpërndahen në kisha të ndryshme dhe te besimtarët si bekim.

Edhe në Korfuz, shën Spiridhoni bëri dhe vazhdon të bëjë shumë mrekulli dhe banorët e ishullit e nderojnë në mënyrë të veçantë shenjtorin, sepse ai e ka shpëtuar shumë herë ishullin dhe banorët e tij nga fatkeqësi, sëmundje dhe nga pushtues të ndryshëm.

Në vitin 1630, i shpëtoi banorët e ishullit nga sëmundja e murtajës dhe në vitin 1855 i shpëtoi nga kolera.

Në vitin 1716, shën Spiridhoni, me anë të një mrekullie, shpëtoi ishullin nga agarinët. Ata rrethuan Korfuzin nga toka dhe deti. Rrethimi zgjati nga 24 qershor deri në 11 gusht. Ushtria agarine përbëhej nga 50.000 veta. Banorët e Korfuzit kërkuan ndërmjetimin e shën Spiridhonit, i cili iu shfaq në të gdhirë të 11 gushtit të vitit 1716. Njerëzit panë shën Spiridhonin duke mbajtur në dorë një shpatë të zjarrtë. Papritmas, në det filloi një furtunë e madhe, e cila i mbyti anijet. Kjo ngjarje e popullit u përjetësua në vargjet e këngës:

“Se Korfuzi ka të zon, shën Spiridhon;
Spiridhoni është shenjt i gjallë,
re në det e dole mbanë,
shpëtove Korfuz, kalanë.”

Ai nuk lejoi që sundimtari venecian, Andrea Pizani, të ndërtonte altar latin në kishën e tij të ritit orthodhoks. Shën Spiridhoni iu shfaq Pizanit në një ëndërr dhe i tha: “Pse më shqetësoni? Altari i besimit tuaj është i papranueshëm në tempullin tim! “Natyrisht, Pizani dhe kardinali latin nuk ndaluan. Atëherë shën Spiridhoni ndërhyri atë mbrëmje: një stuhi e tmerrshme me rrufe shkatërruan fortesën veneciane, duke bërë shumë dëme. Por fakti më i pabesueshëm ishte se në të njëjtën natë dhe orë, një tjetër rrufe ra në Venecia, në shtëpinë e Pizanit, dhe dogji portretin e tij të varur në mur. Çuditërisht, asgjë tjetër nuk u dëmtua.

Një tjetër mrekulli është shpëtimi i kishës së tij në Korfuz nga sulmi gjerman në vitin 1943. Asnjë predhë nuk e goditi kishën e shenjtit dhe njerëzit panë që shën Spiridhoni mbante predhat në ajër që të mos godisnin kishën.

Ndihma e shën Spiridhonit është e njohur nga gjithë besimtarët në mbarë botën, të cilët e nderojnë kujtimin e tij të shenjtë më 12 dhjetor.

(Përlëshorja e Shenjtorit, shkëputur nga Libri “Kremtore”, përkthyer nga Imzot Theofan Stilian Noli).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here