108 Vjet Jusuf Vrioni

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 16 Mars 1916 u lind në Korfuz, përkthyesi dhe diplomati shqiptar Jusuf Vrioni, i biri i Iljaz bej Vrionit dhe Xhemile hanëm Dinos. Vitet e tij të para i kaloi në Korfuz e më pas në Berat. Pas emërimit të babait të tij, Ilias Bej Vrioni, si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Paris, familja e tij u shpërngul në Paris më 1925. Ciklin e ulët dhe të mesëm arsimor Jusuf Vrioni e kreu pranë Liceut Janson de Sailly, Paris dhe atë të lartë në Grande École des Hautes Études Commerciales dhe në Institut d’Études Politiques të Parisit. Më 1939 rikthehet në Shqipëri por shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore e detyron të shpërngulet po atë vit në Romë pranë të vëllait. Rikthehet në Tiranë më 1943. Më 13 shtator 1947 arrestohet nga regjimi diktatorial dhe akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë. Prej shkurtit 1949 e deri më prill 1950 burgoset në njërën prej shtatëmbëdhjetë qelive famëkeqe të Koçi Xoxes. Në korrik 1950 denohet me pesëmbëdhjetë vite heqje lirie dhe punë të detyruar, pjesë të dënimit e kaloi në burgun e Burrelit. Lirohet në fund të vitit 1958 dhe internohet ne Fier për një periudhë disamujore. Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, emërohet në Tiranë si përkthyes. Në fillim të viteve ’60, Vrioni u njoh dhe u miqësua me shkrimtarin Ismail Kadare. Duke çmuar pasurinë gjuhësore dhe vlerën e veprave të Kadaresë, Vrioni e vuri talentin e tij si përkthyes në shërbim të këtij shkrimtari. Kështu gjatë orëve të lira i përktheu veprat e tij thjesht për kënaqësi. Ndër përkthimet e tij të para numërohet Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Vrioni u ngarkua me përkthimin e veprave të Enver Hoxhës duke ngjallur xhelozinë e anëtarëve të nomeklaturës komuniste. Kadare qëllimisht i qëndronte pranë dhe e ftonte në takime zyrtare, pa marrë parasysh të kaluarën e tij politike dhe mosaprovimin e nomeklaturës. Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë posturës së tij multidimensionale si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqerisë civile dhe për një kohë shërben si Kryetari i Kominetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza famëkeqe e vitit 1997 e detyruan të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Paris. Më 1998 emërohet Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhërin Chevalier de la Légion d’Honneur, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhërin Grand Officier de la Légion d’Honneur nga Republika Franceze. Ndërroi jetë në Paris në maj 2001 ndërsa shërbente si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here