Drejt fundit edhe “Portokalli”

Spektakli i humorit, “Portokalli”, pritet të mbyllet në fund të këtij sezoni. 

Kontrata e stafit përfundon në muajin qershor dhe burime zyrtare thanë se drejtuesit e rinj të “Top Channel”, fëmijët e të ndjerit Dritan Hoxha, kanë vendosur ta mbyllin këtë “show”. 

Sipas të njëjtave burime, spektakli “Portokalli” ka një kosto të madhe financiare dhe del me humbje. Për këtë arsye do të shihet mbyllja e tij dhe hapja e një “show” tjetër tip kabaret, më të vogël, me më pak personazhe dhe me kosto shumë të ulëta.

Mbyllja e emisionit “Portokalli” vjen pas mbylljes së njëpasnjëshme të dy spektakleve të mëdha të humorit, siç ishte “Klanifornia” dhe “Al Pazar”. 

“Al Pazar” përfundoi në dhjetor të vitit 2023, “Klanifornia” nuk rifilloi në sezonin e ri të shtatorit, por përfundoi në fundin e pranverës së vitit të shkuar dhe kjo për të njëjtën arsye ashtu si dhe “Portokallia”.

Kostot e mëdha, jo vetëm të pagesave për aktorët, por edhe skenografia, stafi, veshjet e gjithçka tjetër, i bënin këto spektakle me humbje dhe jofitimprurëse. 

I vetmi spektakël humori që ka mbetur është “Fustanella” në RTSH i Altin Bashës. Ish-“Kosherja” që prodhohej në “Abc News”, tashmë ka shkuar në RTSH, por normal në RTSH spektakli nuk bëhet me paratë e biznesit dhe reklamave, nuk ka një ekonomizim të tij, por është një projekt që financohet me xhepat e shqiptarëve dhe ende nuk dihet audienca e reklamat që llogarisin fitimet në krahasim me kostot e këtij “show”.

Mbyllja e pritshme e “Portokalli”-së tregon edhe njëherë se raportet dhe shpenzimet e mëdha financiare të bëra nga televizionet sa po vijnë dhe po zvogëlohen për shkak të moseficiencës duke qenë se spektaklet e mëdha kushtojnë miliona euro dhe këto si humbje ndaj televizioneve të mëdha, të cilat nuk mund t’i mbulojnë më të tilla spektakle si “Portokalli”, “Klanifornia” apo “Al Pazar”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here