Hong Kong – Kur presidenti rus Vladimir Putin do shfaqet të enjten në samitin virtual të BRICS që organizohet nga Pekini, do të jetë hera e tij e parë që merr pjesë në një forum me krerët e ekonomive të mëdha që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në hyrje të këtij viti.
Për Putinin, kjo mund të shërbejë si një mirëseardhje: Fytyra e tij do të shkëlqejë në ekran së bashku me liderët e tjerë, vendet e të cilëve përbëjnë këtë grupim akronim: Xi Jinping i Kinës, Narendra Modi i Indisë, Jair Bolsonaro i Brazilit dhe Cyril Ramaphosa i Afrikës së Jugut! Duke na dhënë kështu një sinjal se Rusia, megjithëse e goditur nga sanksionet dhe protestat kundër pushtimit, ajo nuk është vetëm.
Është një mesazh që mund të rezonojë edhe më qartë pasi Kina dhe Rusia, disa javë përpara pushtimit, deklaruan se marrëdhëniet e tyre “nuk kishin kufij” dhe secili prej liderëve të BRICS ka shmangur dënimin e drejtpërdrejtë të Rusisë, edhe pse ata përmbajnë nivele të ndryshme interesi për të mos miratuar veprimet e saj dhe të ndeshen në një utopi donkishoteske me miqtë e tyre perëndimorë.
Nënteksti është se pushtimi i Putinit ka të ngjarë të sjellë një tjetër ndërlikim në BRICS, një grupim më shumë se një dekadë i ekonomive të vendeve të mëdha në zhvillim, i cili tashmë vuan nga mosbesimi midis anëtarëve dhe ideologjive të papërputhshme mes tyre.
Por vendimi i grupit për të vazhduar samitin e tij të 14-të vjetor pasqyron një pikëpamje të mbajtur nga vendet e BRICS mbi rendin global dhe, si rrjedhojë, qëndrimin ndaj situatës në Ukrainë e cili është larg nga ai i Perëndimit, thonë ekspertët.
“Ne po flasim për disa ekonomi shumë të mëdha, udhëheqja e të cilave është e gatshme të shihet me Putinin, edhe nëse është vetëm në një platformë virtuale,” tha Sushant Singh, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Kërkime Politike (CPR) në Nju Delhi.
“Fakti që Putini është i mirëpritur dhe nuk po dëbohet – ky është një angazhim normal, i cili ka ndodhur çdo vit dhe po zhvillohet ende – ky është një plus i madh për Putinin”, tha ai.
Ndërsa vendet e BRICS mund të argumentojnë se angazhimi me Rusinë nuk është më i favorshëm, këndvështrimet thjesht bëhen më të mprehta në kontrastet e tyre.
Samiti i BRICS pasohet disa ditë më vonë nga takimi i një blloku tjetlr të ekonomive kryesore të përparuara në botë, G7, të cilët kanë qenë të bashkuar në zërin e tyre kundër agresionit rus dhe kanë dëbuar Moskën nga blloku i tyre pas aneksimit të Krimesë në 2014.
Kohë të trazuara
Ndryshe nga G7, BRICS pritet të ketë kujdes kur bëhet fjalë për Ukrainën në samitin e së enjtes, duke folur me gjasë në favor të zgjidhjes paqësore, edhe pse anëtarët e saj mund t’u bëjnë thirrje vendeve perëndimore që të shqyrtojnë ndikimin e sanksioneve të tyre në ekonominë globale.
Pekini – Organizatori i këtij viti dhe deri tani vendi më i fuqishëm ekonomik nga pesë vendet, të cilat së bashku përbëjnë rreth një të katërtën e GDP-së mbarëbotërore, duket se do të fokusojë në axhendën e tij promovimin e nismave të reja të zhvillimit global dhe të sigurisë botërore, por edhe një rezistencë ndaj asaj që ajo e sheh si “bllokadë” nga SHBA.
Vendet e BRICS duhet të “forcojnë besimin e ndërsjellë politik dhe bashkëpunimin e sigurisë”, të koordinohen për çështjet kryesore ndërkombëtare dhe rajonale, të akomodojnë interesat thelbësore të njëri-tjetrit dhe “të kundërshtojnë hegjemonizmin dhe politikën e sundimit”, tha Xi në një fjalim para ministrave të jashtëm të BRICS muajin e kaluar, ku ai i bëri thirrje grupit të promovojë zhvillimin në këtë “periudhë trazirash dhe transformimesh”.
Që nga krijimi i tij, BRICS, që shtoi Afrikën e Jugut në 2011, ka qenë i bashkuar në thirrjen për më shumë përfaqësim të ekonomive të mëdha në zhvillim në skenën botërore dhe kundër asaj që e sheh si një dominim joproporcional të fuqive perëndimore. Kjo do të thotë shtysë për reforma në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, dhe, me raste, një goditje e fshehtë ndaj veprimeve të NATO-s.
Është parë gjithashtu se vendet po diskutojnë çështje si për të zgjidhur tregtinë në monedhat e tyre jashtë sistemit të dollarit amerikan, një çështje që tani mund të marrë më shumë rëndësi për BRICS pas sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.
Këto gjoba e kanë shkëputur bankën qendrore të Rusisë nga shumica e transaksioneve në dollarë amerikanë, kanë sanksionuar bankat dhe kanë hequr institucionet kryesore nga sistemet bankare ndërkombëtare. Kjo ka detyruar vendet që vazhdojnë të bëjnë biznes me Rusinë të përpiqen për të gjetur mënyra të reaja për të shmangur shkeljen e sanksioneve. Si India ashtu edhe Kina mbeten blerësit më të mëdhenj të karburantit rus.
Qëllimet e ndërsjellta
Pavarësisht disa interesave të përbashkëta, grupi BRICS ka qenë prej kohësh i rrënuar nga çështjet e kohezionit, duke pasur parasysh dallimet e mëdha në sistemet politike dhe ekonomike të anëtarëve të tij dhe interesat e tyre të ndryshme gjeopolitike.
Për më tepër, ndërlikimet e pushtimit rus të Ukrainës mund të zvogëlojnë çdo rezultat madhor të samitit të kësaj jave, edhe pse me përjashtim të Brazilit, vendet e BRICS, përveç Rusisë, “abstenuan nga votimi në një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të mbështetur nga 141 vende që i kërkuan Moskës të tërhiqet nga Ukraina.
Kina, nga ana e saj, ka akuzuar NATO-n për provokimin e Rusisë për të sulmuar Ukrainën, ndërsa retorika e ngjashme ka qarkulluar në debatin publik në Indi. Në Afrikën e Jugut, Ramaphosa në fillim të këtij viti u tha ligjvënësve se lufta mund të ishte shmangur nëse NATO do t’i kishte marrë parasysh paralajmërimet për marrjen në konsideratë të anëtarësimit të Ukrainës në bllokun e saj.
Dhe megjithëse Brazili votoi për të dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës në OKB, lideri i tij Bolsonaro është mbrojtur – duke thënë ditë më parë se vendi do të mbetet “neutral”.
Në rrethana normale, Kina do të ndërmerrte hapat e zakonshëm duke shpallur BRICS si “një lloj alternativë të butë ndaj G7” dhe duke kërkuar “të portretizojë BRICS si një lider për botën në zhvillim … kundër klubit të demokracive të pasura kapitaliste”. Kjo do të përfshijë anëtarët që mbështesin projektet kryesore të njëri-tjetrit.
“Tani është thjesht më e vështirë për të bërë për shkak të Putinit në dhomë,” tha Gabuev, një bashkëpunëtor i lartë në Carnegie Endowment for International Peace.
Ndërkohë, një burim i gjatë i fërkimit të brendshëm brenda BRICS mbetet i pazgjidhur: tensionet midis Indisë dhe Kinës, të cilat në vitin 2020 përshkallëzuan në një përplasje të dhunshme kufitare.
Nga njëra anë, BRICS ka qenë një “mënyrë për të siguruar një formë angazhimi me Kinën” për Indinë, sipas Singh të CPR. Dhe kjo mbetet kritike, pasi Nju Delhi është i kujdesshëm për të provokuar Pekinin, veçanërisht pasi ka partneritet me Shtetet e Bashkuara, Japoninë dhe Australinë në grupimin e tyre të sigurisë Quad dhe shihet gjithnjë e më shumë nga SHBA si pjesë e strategjisë së saj për t’iu kundërvënë Kinës,” tha ai.
Por këto lidhje gjithashtu e bëjnë Indinë më të rezervuar për të mbështetur rezultatet kryesore në samitin e BRICS.
“Do të habitesha nëse shpallet ndonjë iniciativë thelbësore, sepse India më pas do t’i dërgonte një mesazh Quad-it dhe partnerëve të saj perëndimorë se është e gatshme të punojë shumë ngushtë me Kinën dhe Rusinë,” tha ai. “Kjo do ta bënte pozicionin e Indisë shumë të komplikuar.”
Një pyetje tjetër është se si vendet e tjera në bllok do ta shohin një përpjekje, të diskutuar prej kohësh dhe që pritet të drejtohet nga Kina në samitin e së enjtes, për të zgjeruar bllokun për të përfshirë më shumë vende në zhvillim.
Në një takim me homologët e tij të BRICS muajin e kaluar, ministri i jashtëm i Kinës Wang Yi bëri thirrje që grupi të nisë një “proces zgjerimi” të një vendi anëtar.
Një zgjerim i tillë mund të shihet me dyshim nga disa vende të cilat theksojnë se Perëndimi ka treguar një standard të dyfishtë në mënyrën se si i respekton normat ndërkombëtare, sipas Gabuev të Carnegie Endowments, i cili thotë se kjo ka nxitur argumentin se bota në zhvillim, në vend të kësaj, duhet të normalizojë politikat e dy standarteve që po ndjek.
“Sjellja e më shumë vendeve në bord është diçka që i jep më shumë legjitimitet, por përsëri, nëse kjo do të shkojë përtej simbolizmit tani për tani, nuk jam aq i sigurt,” tha ai.