Pas vizitës së Blinken, Berisha ka shpërndarë një qarkore ku shpjegon pse dita e fitores është e afërt:
“Demokratë dhe demokrate,
Pas kaq ditësh poshtë penxheres time, pas rezistencës tuaj prej spartanësh kundër falangave të Edi Ramës, mund të themi se fitorja është afër. Vizita e Blinken në Shqipëri e dëshmon këtë. Ai kërkoi të takohej me mue, por unë i thashë që ti or zotëri duhet të kënaqesh që nuk kam nxjerrë urdhër-arresti ndërkombëtar se do ishe mbyllur në zyrë e nuk do dilje dot.
Këtë ai e shprehu edhe në deklaratën e tij kur pyetjes se “Pse nuk takoi njeri nga opozita?”, ai u përgjigj se “Takova gjithë ata që duheshin, përveç Profesor Doktor Berishës që nuk pranoi”. Mediat e Ramës e hoqën pjesën ku fliste për mua, por ju duhet ta shpërndani nëpër botë. Ai më çoi fjalë ku kërkoi mbështetjen time për zgjedhjet presidenciale, por unë ia bëra të qartë që tashmë vota ime ka shkue për Trump, pasi na bashkon ideali, mosha dhe mbi të gjitha pasuria. Vërtet Trump ka vetëm një kullë kurse unë kam 17, por të djathtët duhet t’i pranojmë edhe kur nuk kanë shumë para.
Ia bëra të qartë që jo vetëm unë por do vemë në shërbim të Trump gjithë asetet tona si p.sh portali Syri që mbledh gjithë intelektualët me tetë klasë shkollë, madje edhe Çim Peken që do të bëjë emisione maratonë me analistë shqiptarë.
Kjo e shkatërroi fare atë, dhe kjo u pa se as darkë nuk hëngri se i iku fare oreksi.
Sot është një ditë e madhe për ne pasi radhët tona janë shtuar me ardhjen e Gazit. Kjo e tronditi akoma më shumë Blinkenin i cili ka menduar se Gazi i kishte dhënë besën, por Gazi i tha që “Besa nuk i jepet të pabesëve dhe sa të jeni me Lul Bashën, unë nuk bashkohem me ju”. Kjo i ka tronditur shumë amerikanët. Tani zotërinj, të mobilizohemi për betejën e 20 shkurtit dhe pastaj për zgjedhjet në Amerikë se Rama ka mbaruar. Në 21 shkurt taksirat e keni të vini prapë poshtë penxheres. Kanë ikur kohërat kur Basha ju sillte vërdallë në bulevard, tani jemi rehat poshtë penxheres.