Në një ditë si sot dhe pikërisht më 18 shkurt 1927 u nda nga jeta Turhan Pasha Përmeti, një politikan dhe burrë shteti shqiptar që shërbeu si kryeministri i dytë i Shqipërisë, nga marsi 1914 deri në shtator 1914 dhe nga dhjetori 1918 deri në janar 1920. Ai ishte gjithashtu në shërbim të shtetit osman dhe mbante titullin Pasha i Perandorisë Osmane.
Ndër postet e shumta që mbajti vlen të përmendim: Guvernatori i Kretës 1895 dhe 1896 dhe ambasador në Shën Petersburg. Ai fliste rrjedhshëm greqisht dhe konsiderohej një administrator i aftë.
Ai përfaqësoi Perandorinë Osmane si delegat i saj në Konferencën e Dytë të Paqes në Hagë të vitit 1907.
Më 17 mars 1914, ai u emërua Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme nga Princi Wied, në të ashtuquajturën Qeveri definitive. Ai u bë kryeministri i dytë i Shqipërisë pas Ismail Kemalit.
Bashkëkohësit e Përmetit argumentonin se, për shkak të mungesës së lidhjes me çështjen kombëtare shqiptare, ai nuk ishte i njohur me nevojat e shqiptarëve. U rrëzua nga Essad Toptani më 1914 dhe më pas nga Kongresi i Lushnjës më 1920.