NË BREG TË DETIT EDHE SOT DALLOHEN GJURMËT E MUREVE TË KËSAJ KALAJE.
Onhezmi, i quajtur nganjëherë edhe Ankiazëm, ndodhet në bregun e detit Jon, përballë ishullit të Korfuzit. Është porti i Shqipërisë së jugut, i njohur në kohën moderne me emrin e manastirit Santi Quaranta (Dyzetë Shenjtorët), sot qyteti i Sarandës. Në antikitet, Onhezmi ishte dalja detare e natyrshme e qytetit të madh të Foinikes – Finiqit, që ndodhet rreth pesëmbëdhjetë kilometra larg si dhe e gjithë pellgut të Bistricës. Marrëdhëniet e tij detare me ishullin fqinj të Korfuzit e vinin atë në kontakt me botën greke. Denisi i Halikarnasit e lidh themelimin e qytetit me Ankizin, i ati i Enesë, nga ku qyteti mori edhe emrin Port – Ankizi. Kjo traditë është rimarrë edhe nga Prokopi (De B. Goth., VIII, 22, 31). Denisi i Halikarnasit e lidh me Ankizin dhe shokët e vet edhe themelimin e sanktuarit të Afroditës. Straboni (VII, 7, 5 c 324) e përcakton mirë vendndodhjen e portit të Onhezmit “në lartësinë e të cilit ndodhen pikat perëndimore të Korkyrës dhe përballë të cilit ndodhet në bregun tjetër një tjetër port tjetër, Kasiopea”. Qyteti është përmendur edhe nga Ptolemeu (III 14,4) dhe nga Hierokli (XII 652, 3) që e rendit Ankiazmin midis dymbëdhjetë qyteteve të Epirus Vetus. Kërkimet arkeologjike të bëra në qytetin e Sarandës në vitet 1970, kanë bërë të mundur të nxirren në dritë fortifikimet që duken të jenë të periudhës bizantine, por që me shumë gjasë ndjekin trasenë e një rrethimi më të lashtë. Ato kufizojnë një zonë në formë pesëkëndshi, që nis nga bregu dhe ngjitet mbi shpatin e kodrës. Ajo ka një gjatësi prej 850 m, përfshi edhe bregun e detit të pafortifikuar dhe rrethon një sipërfaqe prej pesë hektarësh. Trashësia e murit është 2,40 deri 2,50 m. Ai është i ndërtuar me dy faqe të jashtme me blloqe të përmasave të mëdha dhe mesatare, me emplekton qendror. Disa kulla e përforcojnë mbrojtjen, veçanërisht nga ana e veriut, ku ka katër tilla me 26 – 27 m largësi nga njera – tjetra. Pikërisht në këtë mur rrethues, nga ana lindore, ka qenë gërmuar pjesërisht (nefi kryesor dhe nefi anësor i majtë) i një bazilike paleokristiane (shekujt V-VI p. Kr.), nefi anësor i djathtë i së cilës mbetet i mbuluar nga një rrugë e qytetit të sotëm. Kohët e fundit, disa kërkime të reja bënë të mundur të identifikoheshin rrënojat e një sinagoge më të hershme (shekujt II – IV), (veçanërisht një mozaik), që kanë qënë ndërfutur në bazilikën kristiane. Disa rrënoja muri me teknikën opus incertum i përkasin me siguri këtij ndërtimi të parë. Bazilika vetë duket se ka qenë shkatërruar pas një zjarri, para vitit 595, padyshim në momentin e dyndjeve sllave, të cilat sipas Kronikës së Monemvasisë shkatërruan territorin e Epirus Vetus.