Tre persona janë arrestuar në Elbasan gjatë dy operacioneve të ndryshme brenda 12 orësh.
Policia njofton se në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2” u arrestua 28-vjeçari me iniciale E.A, pasi u kap 27.3 kg kanabis, të cilën do e transportonte drejt Maqedonisë së Veriut.
“Në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Bags”, në fshatin Rrajcë, Prrenjas, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan për kontroll, automjetin tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. A., 28 vjeç, banues në Fushë Krujë. Në këtë automjet u gjetën 2 qese me rreth 27.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa, sasi e cila dyshohet se do të trafikohej nga shtetasi E. A., drejt RMV-së. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë 28-vjeçari dhe u sekuestrua sasia e lëndës narkotike”, njofton policia.
Ndërsa në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit” u arrestuan dy të rinj nga Divjaka, të cilët u kapën me 1 armë zjarri kallashnikov dhe 114 fishekë luftarak që dyshohet se posedoheshin me qëllim trafikimin drejt RMV-së.
“Në kuadër të operacionit “Entrance”, në hyrje të qytetit të Elbasanit, u lokalizua dhe u ndalua për kontroll, automjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin S. M., 21 vjeç, dhe ku ishte pasagjer shtetasi A. M., 22 vjeç, të dy banues në Divjakë. Në këtë automjet u gjet 1 armë zjarri kallashnikov dhe 114 fishekë luftarak që dyshohet se posedoheshin me qëllim trafikimin drejt RMV-së. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë të 2 shtetasit, si dhe u sekuestruan arma e zjarrit dhe municioni”, njofton policia