Përveç pakësimit të numrit të nxënësve në tre ciklet para- universitare, arsimit shqiptar po i troket një krizë tjetër e madhe në numrin e mësuesve, që ka filluar të jap shenjat e para e do të krijojë situatë të vështirë, tamam si kriza për mjekë.
Kriza e pritshme në arsim, do shkaktohet nga dalja e shumë mësuesve në pension e në prag pensioni; ndërsa përballë firos së tyre, kemi faktin që në universitete po pakësohet numri i studentëve për mësues, madje në 3 universitete rajonale janë mbyllur degët e mësuesve.
P.sh., në vitin mësimor 2022-2023, kanë dalë në pensin 680 mësues; në muajin janar 2024 kanë dalë në pension 102 mësues, ndërsa në fund të këtij viti mësimor do dalin në pension 416 mësues, shumica në Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan, Fier, Shkodër e Gjirokastër.
Në evidentimin e bërë nga Ministria e Arsimit në dhjetor 2023, dhe ia ka çuar si shqetësim kryeministrit Edi Rama; rezulton se 35% e mësuesve janë në prag pensioni ne intervalin e 1 deri 5 vite, kryesisht në degët e ekzakte matematikë, fizikë, kimi dhe në degën gjuhë shqipe.
Sipas raportit të ministrisë, nga këta 35% mësues që pritet të dalin në pension brenda 5 viteve, pritshmëria është që të zëvendësohen vetëm 7-10% e tyre; por pas 5 vitesh do krijohet kontigjenti tjetër i mësuesve që do dalin në pension, e kështu do vazhdojë zinxhiri i pakësimit.
Zëvendësimi i tyre i plotë është i pamundur, sepse po ulet çdo vit e më tepër numri i studentëve në degët mësuesve, dhe nuk po merret asnjë masë për t’i paraprirë mbylljes së tyre totale.
Siç ka ndodhur në Universitetin e Durrësit, ku për vitin 2023-2024, ka vetëm nga 1 student në degët Histori-Filologji, por dhe në Gjirokastër, Vlorë e Elbasan, kur numri në degët e mësuesve është sa 10-20% e nevojave të planifikuara nga Ministria e Arsimit për shkollat.
Qeveria po bënë sikur nuk e di shkakun e firos së studentëve për mësues; por e di që profesioni i mësuesit në Shqipëri, nuk preferohet nga pagat e ulëta, nga pabarazia, taksa e lartë mbi pagën, keq-përdorimi prej politikës dhe cenimi i figurës së mësuesit edhe me dhunë nga nxënësit.
Por alarmi, i nisur prej numrit të madh të mësuesve që po dalin e do dalin në pension, po shtohet edhe prej largimit të mësuesve me punë në biznese e shkolla private dhe në emigracion, për shkaqe ekonomike dhe jetë më të garantuar për fëmijët e tyre.
Me këtë alarm për krizë të pritshme mësuesish, kishte lidhje takimi demagogjik, Babloku bëri me mësuesit, për gjoja prezantimin e programit për kualifikimin e mësuesve; ku ripërsëriti premtimin e bërë prej 2 vitesh, se pagat do bëhen 900 Euro, por pa deklaruar se në cilin muaj.
Ndërsa për veten, për ministrat, deputetët dhe drejtuesit e institucioneve të tjera të kupolës së shtetit, Babloku i bëri pagat nga 3000-6000 Euro dhe i filloi qysh nga muaji prill 2023./Pamfleti