Organizata u krijua më 10 shkurt 1942. Djemtë e bashkuar anëtarë të idealit komunist ose Debatik, ishin një grup fëmijësh të moshave nga 10 deri në 14 vjeç që u mblodhën tek Kodrat e Saukut në Tiranë, ku lidhën besën para flamurit duke u betuar për luftë kundër pushtuesve fashistë italianë dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Menjëherë pas krijimit u grumbulluan me qindra fëmijë të tjerë, që u organizuan në grupe të vogla vepruese. Gjatështëmujori i dytë i vitit 1942 tregoi se u rrit veprimtaria e Debatikut, në çdo lagje e shkollë të Tiranës, dhe në gjithë Shqipërinë. Disa nga drejtuesit e kësaj organizate ishin: Hamdi Sollaku, Skënder Begeja, Meriban Najdeni, Selman Vaqarri, Laman Çoçoli, Jovan Andoni, etj. Organizata arriti deri 3000 anëtarë. Debatikasit kalonin nga një lagje në tjetrën, me materiale propagandistike e letra sekrete, por edhe me armë nga qyteti i Tiranës e në rrethina: në Pezë, në Priskë, Petrelë e gjetkë. Mblidhnin ndihma, veshmbathje e monedha, grumbullonin informacione mbi lëvizjen e armikut, merrnin pjesë në aksionet luftarake që kryenin njësitet guerile. Shembulli dhe përvoja e ngritjes së organizatës Debatik u përhap me shpejtësi në tërë Shqipërinë (qytet-fshat). Gjithë kjo veprimtari e Debatikasve, nuk mund të kalohej lehtë. Spiunët e shumtë në shërbim të nazi-fashistëve, binin në gjurmët e tyre. Gjatë LANÇ, nga debatikasit ranë dëshmorë të Atdheut mbi 80 vetë. Heroizmit të tyre iu këndua kënga: “Ndonëse i vogël,/ edhe pushkë nuk kam,/ fashizmit i bëj dëm,/ sa një partizan”. “Luftoj për Shqipëri,/ me sa kam fuqi, / s\trembem kurrë një herë,/ se jam pionier”. Historia e Debatikut, është përfshirë në disa libra, si: “Historia e Debatikut”, me autor Selman Vaqarri, libri “Edhe ata luftuan” me autor Agim Kalo, si dhe te filmi artistik “Debatik” nga Hysen Hakani dhe Gëzim Erëbara, ku spikat roli i Colit, që edhe sot është shumë i shikuar. Ai ngjall dhimbje dhe mirënjohje për kontributin e fëmijëve në luftën për liri. Në çdo 10 Shkurt, bëhen homazhe e vendosen kurora me lule të freskëta tek Lapidari në Parkun e Liqenit, aty ku u krijua Debatik.