7 Shkurt 1913 Rrethimi i Shkodrës

Mësymja ka filluar sot, në mëngjes, në orën 4. Në fillim, deri në orën 10, ajo zhvillohej në pika të veçanta e, pastaj, u bë e përgjithshme duke përfshirë Taraboshin, Fushën e Shtojit, Bardhajt. Nuk dëgjohej asgjë tjetër veç zhurmës shurdhuese të armëve. Predhat binin si breshër. Më së pari, erdhi nëpunësi i zyrës, djaloshi Benusi, i cili na tha se një predhë kishte plasur në oborrin e tyre dhe kishte shkatërruar murin; nëna e tij që ishte dy hapa më larg nuk ishte plagosur. Pastaj, erdhi farmacist Tironi; një predhë e rënë në dhomën e tij i kishte shkatërruar një numër sendesh, pasqyra e tjerë. Pas tij u duk një korrier që të na njoftonte se në shtëpinë e zëvendëskonsullit v. Mayrhauserit kishte rënë një gjyle topi në një aneks ku lahen enët e kuzhinës, afër shtëpisë ku banon e shoqja e shërbëtorit Ndoc bashkë me fëmijët. Më në fund kur ishim ulur të hanim, hyri me vrull duke u dridhur e me fytyrë të zbehtë Nasuh Beu; në shtëpinë e tij, një predhë i kishte këputur krahun dhe këmbën bijës së tij dhe tashti, ajo është shtrirë për të vdekur. Të gjitha këto kanë ndodhur në shtëpitë e austriakëve, po kush e di se sa janë të tjerët që u kanë rënë fatkeqësi të tilla! Një predhë ka shpërthyer edhe në shtëpinë ku qëndron e shtrirë motra e vdekur e kryeipeshkvit. Midis orës 1 dhe 4 pasdite, sulmi u bë edhe më i fuqishëm. Toka dridhet nga të shtënat e Taraboshit. Ajri është i mbushur me aromën e barutit. Nga të gjitha anët dëgjohen krisma, flakërima, gjëmime, sa mund të mendoje se kish ardhur fundi i botës! Ora 8 e mbrëmjes. Lufta vazhdon akoma, me po atë tërbim. *Nga ditari i nje dëshmitari”
Hortense von Zambaur, bashkeshortja e konsullit te Austro-Hungarise ne Shkoder.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here