Shqipëria dhe Italia do të nënshkruajnë sot dokumentin përfundimtar të marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore. Nga kjo marrëveshje do përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë dhe shumë italianë në Shqipëri. Marrëveshja do të nënshkruhet nga ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani dhe ai shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani. Nëpërmjet marrëveshjes, pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet e sëmundjes, si dhe sigurimet e papunësisë do të mbulohen si për shqiptarët që jetojnë në Itali ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri dhe japin kontributet e tyre këtu.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se marrëveshja vjen si detyrim dhe e drejtë për shtetasit shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me prej 30 vitesh dhe kanë kontribuar në progresin ekonomik dhe social të të dy vendeve.