Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka zbuluar një fushatë të madhe disinformuese ruse në internet, në platformën X, ish-Twitter. Qëllimi i fushatës ka qenë rritja e pakënaqësisë me punën e qeverisë në Berlin dhe minimin e mbështetjes për Ukrainën, raporton “Spiegel”.
Me porosi të Ministrisë Jashtme të Gjermanisë ekspertët kanë analizuar me një softuer të posaçëm shërbimin e mesazheve të shkurtra, X dhe kanë gjetur një rrjet të madh profilesh të rreme përdoruesish që shpërndanin përmbajtje në gjuhën gjermane.
Në mesazhet ngrihet shpesh akuza se qeveria gjermane injoron popullin e saj për të mbështetur Ukrainën, ka raportuar “Spiegel”, duke iu referuar burimeve të besueshme nga analiza. Ministria e Jashtme po ndjek prej kohësh përmes analistëve të informatikës debatet në mediat sociale mbi temat e politikës së jashtme. Qëllimi është të zbulohet influenca nga jashtë. “Disinformimi është kthyer në një faktor global kërcënues”, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme për “Spiegel”. “Ai përdoret me qëllim nga ata që nuk ndajnë vlerat tonë për të destabilizuar shoqëritë në tërësi, jo vetëm demokracitë perëndimore, por në tërësi.”