Në një ditë si sot dhe pikërisht më 27 janar 1756 lind gjeniu i muzikës klasike Wolfgang Amadeus Mozart.
Ai ishte biri i Leopold dhe Maria Pertl Mozart. Babi i tij kishte filluar që t’ia mësonte notat në piano vajzës së tij Maria Anna të cilën e thërrisnin Nannerl, gjersa Mozarti një tre vjeçar i shikonte duke imituar notat që ajo krijonte. Kështu ai filloi që të tregojë shumë shpejtë aftësitë e të kuptuarit të zërit, tonalitetit dhe ritmit. Babi i tyre përpiqej që ti mësonte që të dy më shumë për muzikën duke i afruar me të si një mënyrë e argëtimit, mirëpo duke mos lënë anash mësimet. Kështu që të dy fëmijët u treguan të suksesshëm në këtë drejtim madje Mozarti filloi që të kompozoj në moshën 5 vjeçare duke treguar aftësi mahnitëse në klaviçembal dhe violinë.
Kurse në vitin 1762, babi i tyre mori Nannerl, në atë kohë 11 vjeçare dhe Mozarti 6 vjeçar performuan në oborrin mbretëror në Bavari, në Munich ku edhe filluan paraqitjen e tyre të cilat pastaj vazhduan si një lloj turne nëpër Evropë. Në këtë mënyrë Mozarti filloi që të takojë shumë muzikantë dhe performues të ndryshme në mesin e të cilëve ishte Johann Christian Bach i cili pati një ndikim të madh në punën e Mozartit. Mirëpo karriera e motrës së tij përfundon në kohën kur ajo arrin moshën për tu martuar, pasi që, në atë kohë konsiderohej se ajo nuk duhet që të shfaqet më në publik, gjersa Mozarti vazhdon karrierën edhe jashtë Austrisë së bashku me babin e tij.
Disa nga veprat e tij janë: operan “La Finta Giardiniera”, “Idomeneo, Mbreti i Kretës“,“Martesa e Figaros“ (1784), “Don Zhuani“ (1787), “Flauti magjik”, si dhe sonata të ndryshme për violinë, për piano, kuintete, pastaj simfoni të ndryshme, sonata, si dhe muzikë kishtare.
Në 1782-shin, kundër dëshirës të së atit, Mozarti martohet me motrën e vogël të ish të dashurës së tij, Kostancën. Pas martesës, Mozarti shkon në Vjenë, ku për një farë kohe gëzon sukses me veprat e tij. Ndërkohë marrëdhëniet e tij me të atin dhe motrën ishin ftohur, kështu ai u përjashtua edhe nga testamenti i të atit të tij.
Kompozitori i famshëm gjatë karrierës së tij është përballur shumë me probleme financiare. Ai i ndodhur në gjendje shumë të vështirë ekonomike filloi të merrte hua. Letrat që ka lënë ai janë zemërcopëtuese, pasi që në to ai lutej për të marrë të holla hua nga njerëzit. Në 1789-ën Mozarti udhëtoi në Berlin e më pas në Frankfurt duke shpresuar për një pozitë më të mirë, por asgjë. Bashkëpunimi me Emanuel Schikaneder, pronarin e një teatri në zonën e klasës së mesme të Vjenës, dhe trupën e tij, solli në skenë operan “Flauti magjik”, që u bë menjëherë popullore e i dhuroi Mozartit një shije të fundit të suksesit.
Pas premierës së saj në shtator të 1791-shit, dukej sikur gjërat po merrnin për mirë për të dhe familjen e tij. Mirëpo në nëntor kur ai kishte punuar rreth 30% të veprës së parapaguar “Rekuiem”, sëmuret rëndë. Pavarësisht nga mjekimet dhe përkujdesjen e mjekëve më të njohur të Vjenës, gjendja e tij sa vinte dhe keqësohej, kështu ai vdiq me 5 dhjetor, 1791. Nuk ka asnjë raport në këtë datë mbi shkakun e vërtetë të vdekjes së tij, kurse ai u varros në një varrezë periferike pa shumë ceremoni. Për shkak se familja apo admiruesit e tij nuk vunë menjëherë shenjë dalluese mbi varrin e tij, vendndodhja e saktë e varrit të tij akoma nuk dihet.