14 Vjet mungon Pashko Gjeçi

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 20 Janar 2010 ndërroi jetë Pashko Gjeçi, poet, publicist, kritik, arsimtar dhe përkthyes shqiptar.
U shqua për përkthimet e veprave të autorëve klasikë, si Komedia Hyjnore të Dantes, Odisea e Homerit, Fausti (1) Gëte, si dhe Andromaka e Atalia e Rasinit.

U lind në Shkodër nga një familje tregtarësh të vegjël, i biri i Gasprit dhe i Ninës (Antonjetës). Pas vdekjes së të atit, Pashku mbeti me të ëmën dhe dy motrat, Nikoletën dhe Margaritën. Pas mbarimit të shkollimit fillor, nisi ndoqi Kolegjin Saverian 1930-34.

Kur shkollat fetare u mbyllën kaloi në gjimnazin shtetëror të Shkodrës, ku nisi të sprovohej në përkthime, por edhe shkruante vetë, krijimet dhe përkthimet e veta i botonte tek “Cirka” me pseudonimin Surgens.

Në sajë të rezultateve në gjimnaz, ministria e Arsimit i akordoi një gjysëm burse, përmes së cilës nisi Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë, nga ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera, 1942, me tezë diplome “Jeta dhe vepra e Dom Ndre Mjedës”.

Ministria e Arsimit e asaj kohe e caktoi në Shkollën e Mesme Femnore në Shkodër, si profesor të letërsisë dhe latinishtes, duke mos i ndërprerë përkthimet që ia niste “Shkëndijës”. Pas Çlirimit u transferua në Durrës, bashkë me familjen, dhe nisi të jepte mësim në shkollën e qytetit. Dhe ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për degën e Durrësit.

 1947 u ndalua me akuzën “Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit” dhe u dënua me pesë vjet heqje lirie, ky dënim vinte si lehtësim për shkak të deponimeve. Dënimin e kaloi në Durrës, Vloçisht dhe në kënetën e Maliqit gjatë verës. U lirua më 1952 dhe u vendos sërish familjarisht në Shkodër, ku për të jetuar nisi të bënte punë krahu. Më 1953-’54, iu kërkua që të përkthente Traviatën e Giuseppe Verdit.

Më 1954-’58 u caktua si mësues në shkollën tetëvjeçare të Fushë-Krujës, ku  nis përkthimin e Komedisë Hyjnore. U lejua që të vendosej në Tiranë familjarisht, ku më 1959 nisi punë në gjimnazin “Qemal Stafa” në kryeqytet dhe iu botuan në revistën “Nëntori” fragmente të përkthyera nga Ferri i Komedisë Hyjnore, ndërkaq pas një viti Ferri u botua i plotë. Më 1962 Komedia Hyjnore u botua e plotë në gjuhën shqipe, me parathënie nga Siliqi, përkthim për të cilin iu dha një shpërblim prej 300 mijë lekësh të vjetra. Më 1963 ia nisi përkthimit të Odisesë nga greqishtja e lashtë, duke pasë variantet italisht dhe frëngjisht të veprës, për ta bërë më të gjallë shpenzon gati krejt honoraret e Komedisë për të shkuar në Durrës të kundrojë detin.

Më 1964 u martua me Gjystina Kapedanin dhe së bashku u trashëguan me një vajzë, Antonetën. Mirëpo kushtet e vështira e shtynë çiftin që të ndahej. Më 1965 vazhdoi si mësues në shkollën e natës në Kombinat si dhe në shkollën e gjuhëve të huaja, më pas e quajtur “Asim Vokshi”; 1968-1972 dha gjuhë latine në Fakultetin e Mjeksisë. Ndërkohë, më 1969 Komedia botohet në Kosovë. Me ndërmjetësinë e mikut Mark Dema, martohet me Nezaqet Gaganin. Me heqjen e latinishtes nga programi mësimor më 1972, nisi punë si korrektor tek shtëpia e librit shkollor deri në daljen në pension në shtator 1978. Më 1976 iu botua përkthimi i Odisesë.

Me rënien e regjimit komunist dhe ardhjen e viteve 2000′ përkthimet e klasikëve që kishte bërë u ribotuan, ndërsa disa përkthime të tjera që i kishin ngelur në dorëshkrim u botuan së pari, vepra si Fausti i Gëtes (pjesa e parë, 2008), Andromaka dhe Atalia e Rasinit (2010). Ndërroi jetë më 21 janar 2010 në apartamentin e tij tek Shallvaret, në Tiranë.

Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet e ’70 vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedisë Hyjnore”.
Gjeçi u dekorua nga Presidenti Italian Ciampi më 2004 me “Ordine della stella, della solidarietà italiana” për përkthimin e Dantes.
Për 90-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë i akordon Çmimin Kombëtar të përkthimit “Fan Noli”, për përkthimin e veprës “Fausti” (Pjesa 1) nga Gëte.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here