Në një ditë si sot dhe pikërisht më 18 janar 1919 nis Konferenca e Paqes në Paris, në të cilën marrin pjesë 32 shtete. Shqipërisë iu mohua pjesëmarrja zyrtare. Kjo konferencë i mbaron punimet më 21 janar 1920. Gjithçka aty u bë ashtu siç donin pesë fuqitë e mëdha: Britania e Madhe, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe Japonia. Pas Traktatit të Versajës, më 1919 nënshkruhen edhe katër traktate tjera që dënojnë shtetet e tjera të Boshtit Qendror: Perandorinë Osmane, Austrinë, Hungarinë dhe Bullgarinë. Në dëm të dy shteteve të fundit përfiton Serbia. Ajo përfiton sidomos në raport me shqiptarët, meqë mban territoret e pushtuara më 1912. Por, ajo kërkonte edhe veriun e Shqipërisë, e sidomos Shkodrën. Ndërsa Gjirokastrën dhe Korçën i donte Greqia. Ndërkaq, Italia donte Vlorën me rrethinat. Në Paris, më 1919, niset një delegacion i Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, por aty do të jetë edhe një delegacion i kryesuar nga Esat Pasha në cilësinë e kryetarit të vetëshpallur të qeverisë shqiptare. Shqiptarët në Paris denjësisht përfaqësohen nga: Imzot Luigj Bumçi, Atë Gjergj Fishta, Turhan Pasha, Mithat Frashëri, Mustafa Kruja, Mehdi Frashëri, Luigj Gurakuqi, Mihal Turtulli, Lef Nosi, Mehmet Konica, Dhimitër Berati etj. Për të siguruar mbështetje të fuqive perëndimore, Bumçi dhe Fishta shkuan në Vatikan për ta takuar Papa Benediktin XV. Delegacioni shqiptar kërkoi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin dhe administrojnë për një vit Çamërinë dhe tokat shqiptare të aneksuara nga Mali i Zi dhe Serbia. Shqiptarët do të pajtoheshin që i njëjti mandat t’u jepej trupave amerikane për Epirin e Veriut, i cili i përket shtetit shqiptar, por që pretendohet nga Greqia. Mandati amerikan do të përfundonte pas dy vitesh, ndërsa banorët do të përcaktoheshin me plebishit për fatin e tyre. Nuk duhet harruar se në fund të vitit 1918, Shqipëria ishte ende e pushtuar nga shtetet fituese, ushtritë e të cilave nuk largoheshin nga tokat shqiptare edhe pse kishte mbaruar Lufta e Parë Botërore. Pas disfatës së Austro-Hungarisë, shpresat më të mëdha shqiptarët atë kohë i kishin tek Italia e cila insistonte që të mos formohej një Qeveri po një Këshill ose Komitet Kombëtar. Pra, më 1919, Shqipëria e cunguar rrezikonte ndarjen tjetër apo edhe zhbërjen. Fati deshi që presidenti amerikan Woodrow Wilson insistoi në parimin e vetëvendosjes së popujve, me çka përmbyten vendimet që janë marrë më 1915 gjatë Traktatit të Fshehtë të Londrës (mbrohen kufijtë e përcaktuar më 1913 në Konferencën e Londrës). Një vit më vonë, Shqipëria bëhet anëtare e Ligës së Kombeve që po ashtu është jetë produkt i Konferencës së Paqes në Parisë. Në këtë qëndrim pozitiv të palës amerikane, rol me rëndësi ka luajtur mërgata shqiptare në ShBA me në krye Fan Nolin dhe Faik Konicën.