Izrael – Zbulohet mbishkrimi 1500-vjeçar “Krishti, lindur nga Maria”

Arkeologët duke gërmuar në fshatin et-Taiyiba, që ndodhet në Luginën e Megidos (e njohur edhe si Lugina e Jezreelit), kanë zbuluar një mbishkrim që mban emrin “Krishti, i lindur nga Maria”.
Sipas fesë së krishterë, lugina konsiderohet vendndodhja për betejën përfundimtare midis forcave të së Mirës dhe të Ligut, që emërtohet Armagedon. Termi «Armageddon» rrjedh nga hebraishtja «Har Megiddo», që do të thotë «Mali Megido».

Mbishkrimi i gurit është i gdhendur në helenisht dhe u gjet në hyrjen e portës së një ndërtese që daton në fund të shekullit të 5-të pas Krishtit gjatë periudhës bizantine ose të hershme islamike.

Instituti i Arkeologjisë i Universitetit Hebraik të Jeruzalemit, deklaroi për mediat se mbishkrimi është një përkushtim për Jezusin, Birin e Marisë, ku thuhet: “Krishti lindi nga Maria. Kjo vepër e peshkopit më të devotshëm Theodosius dhe Thomasit të mjerë është ndërtuar që në themel. Kush hyn duhet të lutet për ta.”
Theodosius, të cilit teksti i referohet si themeluesi i ndërtesës, ishte një nga peshkopët e parë të krishterë në rajon dhe kishte autoritet fetar në Bet She’an, që shërbeu si kryeqyteti i provincës bizantine të Palaestina Secunda.
Sipas studiuesve, mbishkrimi synon të sigurojë mbrojtje nga syri i keq dhe është gjetur në vende të tjera nga e gjithë bota bizantine.

Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit deklaroi se: “Kjo është prova e parë e ekzistencës së kishës bizantine në fshatin et-Taiyiba dhe kjo shton gjetjet e tjera që vërtetojnë aktivitetet e të krishterëve që jetonin në rajon.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here