Zoja e të Varfërve, është emërtimi i dhënë për shfaqjen e Virgjëreshës Mari te Mariette Beco, një vajzë adoleshente që jetonte në Banneux, Provinca Liège, Belgjikë. Më 15 janar 1933 Beco i tha familjes së saj dhe famullitarit se pa një Zonjë me të bardha, e cila e deklaroi veten si “Virgjëresha e të Varfërve”, duke thënë se unë vij për të lehtësuar vuajtjet dhe të besoni në mua dhe unë do të besoj në ju.
Mariette Beco ishte 12 vjeç kur rrëfeu për shfaqjen e Marias në vitin 1933 në Banneux, Belgjikë, një fshat rreth 15 kilometra në juglindje të qytetit të Lièges. Zonja me të bardha tha: “Unë jam Virgjëresha e të varfërve. Beso në mua dhe unë do të besoj në ty.” Sipas Mariette, ajo e pa për herë të parë Virgjëreshën e Bekuar në mbrëmjen e së dielës 15 janar 1933, teksa po shikonte nga dritarja e kuzhinës. Një grua me të bardha qëndroi në kopsht dhe e thirri të dilte, por nëna e saj nuk e la. Ajo dukej si një vajzë e re në oborr duke i buzëqeshur e përkulur pak përpara dhe kishte veshur një fustan të gjatë të bardhë me brez blu dhe një vello të bardhë transparente. Tre ditë më vonë gruaja me të bardha u rishfaq dhe i tha Mariette se ajo ishte “Zoja e të varfërve”. Zonja u shfaq gjithsej tetë herë, e fundit më 2 mars 1933. Në një nga këto vizione, Mariette tha se Zonja i kërkoi asaj të zhyste duart e saj në një burim të vogël, duke i thënë se burimi ishte për shërim dhe “për të gjitha kombet”. Me kalimin e kohës, vendi tërhoqi pelegrinët. Sot, burimi i vogël jep rreth 2000 litra ujë në ditë me shumë raporte për shërime të mrekullueshme. Ndërkohë, Mariette u bë objekt talljeje lokale, madje edhe gjyshja dhe tezja e saj talleshin me të. Djemtë e ndiqnin përreth, duke e quajtur “Bernadette”, duke u gjunjëzuar dhe duke kërkuar bekimin e saj. Pretendimet e saj iu nënshtruan një hetimi zyrtar nga viti 1935 deri në 1937 nga një komision ipeshkvnor. Provat e mbledhura iu dorëzuan Romës për analiza të mëtejshme. Ndërkohë në vitin 1938 është ndërtuar një spital. Në maj 1942, Peshkopi Kerkhofs i Dioqezës Belgjike të Liezhit miratoi nderimin e Marisë nën titullin Zoja e të varfërve dhe miratoi vetë shfaqjet në vitin 1949. Megjithëse Selia e Shenjtë i dha leje peshkopit për të miratuar shfaqjen, vetë Selia e Shenjtë nuk e miratoi atë. Pas shfaqjeve, Mariette vendosi të mbetej një person privat, u martua dhe bëri një jetë të qetë familjare. Një kishëz e vogël qëndron aty ku thuhet se Virgjëresha e të varfërve ka kërkuar që të ndërtohet. Mariette vdiq më 2 dhjetor 2011, në moshën 90-vjeçare. Në vitin 2008 ajo bëri një deklaratë përfundimtare për rolin e saj në shfaqjet: “Unë nuk isha më shumë se një lajmëtare që duhej të sillte lajmin e mirë. Pasi kjo të jetë bërë, lajmëtari nuk ka më rëndësi”.