Ajo ka interpretuar si balerinë së skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit nga viti 1951 deri në vitin 1962 ku edhe spikati per talentin dhe për aftësitë e saj fizike.
Pas njohjes me bashkëshortin e saj Ndrek Luca, një aktor i jashtëzakonshëm edhe ky për interpretimin e karaktereve dhe figurave artistike, Mimika iu përkushtua me dashuri artit dramatik dhe ku pati sukses në interpretimet e saj.
Ajo u pranua si aktore e Teatrit Popullor sot Teatri Kombëtar në vitin 1962.
Gjatë karrierës së saj 15-vjeçare si aktore Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 rrole ku ndër to do të veçonim Luçia te “Borgjezi fisnik”, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama “Cuca e maleve”, Nica te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja te “Kur hidheshin themelet”, Sonja te “Xhaxha Vanja”. Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”, dramë e shkruar nga vetë aktorja.
Mimika Luca interpretoj gjithashtu edhe në shumë filma artistik si “Treni niset në shtatë pa pesë” “Përrallë nga e kaluara” “Taulanti kërkon një motër” e shumë të tjerë.
Në vitin 1977 ajo emërohet edhe pedagoge në “Institutin e Lartë të Arteve” dega e Dramës.
Sa i përket marrëdhënies me bashkëshortin, Ndrek Luca, gjatë një interviste disa vite më parë, ajo u tregoi: “Jam njohur me Ndrekën që kur fillova të lahesha në pishinën e Teatrit Popullor. Pastaj, në atë kohë, as ne e as ata nuk linim pa parë asnjë shfaqe të njëri-tjetrit. Për mua ishte më i madhërishmi sepse e njihja nga interpretimet. M’u afrua disa herë aso kohe, më thoshte, është me ujë Selite pishina, do marrësh ndonjë të ftohtë se sa ke dalë nga provat…
Dashuria jonë nisi në oborrin e teatrit. Së pari nisi të fliste ai, të më jepte këshilla a të më bënte pyetje, sepse kuptohet që isha edhe tepër e vogël. Unë thosha me vete, ky njeri, që është kaq, i madh vjen (kishte ardhur një delegacion italian, i cili kishte thënë që pamë një Jago krejt të veçantë) dhe më flet mua! Në moshën 16- vjeçare, i kisha mbushur, unë u marrosa pas tij! Jo vetëm në skenë, por ai ishte aq i madh edhe në jetë. Vishte një pallto ushtarake që i dilnin fijet dhe mua kjo më dukej thjeshtësia më e madhërishme në botë.
Mimika Luca dhe Sami Frashëri
Nëna e Mimikës ishte mbesa e intelektualit shqiptar Sami Frashëri dhe familja e saj jetonte në Janinë para Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte e martuar me një avokat shqiptar, jeta dhe karriera e të cilit u ndërtuan mes Janinës dhe Gjirokastrës. Në kulmin e luftës italo-greke, babai i Mimikës vdiq në moshë të re nga një sëmundje vdekjeprurëse. E gjetur papritur krejt vetëm me fëmijët e saj, nëna e Mimikës vendosi të kthehej në shtëpinë e saj në Gjirokastër, në mënyrë që ajo të mund të ishte pranë të afërmve të saj.
Në kufirin shqiptar, rojet greke e paralajmëruan se ajo do të lëvizte për të hyrë në një vend armiqësor, pasi Shqipëria e pushtuar nga Italia i kishte shpallur luftë Greqisë. Megjithatë, nëna e Mimikës vendosi të vazhdonte udhëtimin e saj drejt Shqipërisë, ku gjërat do të merrnin një kthesë dramatike. Shtëpia në Gjirokastër ishte bombarduar deri në themel dhe asgjë nuk ekzistonte më prej saj. Mimika, nëna dhe vëllezërit e motrat e saj e panë veten të pastrehë, pa perspektivë dhe të paaftë për t’u kthyer në Greqi. Të nesërmen ata udhëtuan drejt Tiranës për të takuar familjen me ndikim Toptani me të cilën kishin lidhje familjare. Mirëpo ata nuk patën fat sepse pronat e familjes Toptani u mbushën me refugjatë shqiptarë që sapo kishin ikur nga mizoritë e andartëve grekë, por atyre iu premtua një takim me prefektin e Tiranës, Qazim Mulleti. Të nesërmen, Qazim Mulleti takoi Mimikën dhe nënën e saj në zyrën e tij dhe i ofroi të qëndronin në një strehë qeveritare për fëmijët pa prindër. Nëna mund të punonte aty, ndërkohë që ishte edhe pranë vajzës së saj. Kjo ishte si një mrekulli nga askund.
Që nga viti 1941 e deri në fund të luftës, Mimika dhe nëna e saj qëndruan atje, derisa arritën të gjenin një shtëpi për vete.