Banka e Bashkuar e Shqipërisë njofton se kompania Eurosig bëhet aksioneri i vetëm i bankës, pasi ka nënshkruar marrëveshjen për blerjen e kuotave të mbetura të aksionerit të pakicës, Bankës Islamike për Zhvillim (IDB).
Banka nga Arabia Saudite, që mban ende 14.37% të aksioneve në UBA, ka vendosur të dalë përfundimisht nga investimi, në përfundim të një procesi disavjeçar gjatë të cilit Eurosig mori gradualisht kontrollin e bankës, nëpërmjet blerjes së aksioneve të aksionerëve ekzistues dhe nënshkrimit të aksioneve të reja të emetuara nga banka.
Sipas njoftimit të UBA, investimi i Eurosig ka për qëllim zhvillimin sistematik, me fokus në segmentin retail, si një pjesë themelore e objektivit për rritje në sektorin bankar.
Kompania shqiptare e sigurimeve Eurosig hyri në strukturën aksionere të bankës në vitin 2019, duke blerë fillimisht një paketë si aksionere pakice, ndërsa e rriti pjesëmarrjen gradualisht, duke zëvendësuar Bankën Islamike për Zhvillim.
Vitin e kaluar, Banka e Bashkuar e Shqipërisë u bë banka e pestë me kapital kontrollues shqiptar, pasi Banka e Shqipërisë miratoi zyrtarisht në muajin gusht marrjen e 51% të aksioneve nga Eurosig. Në nëntor 2022, Eurosig e rriti më tej pjesëmarrjen në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë, duke blerë edhe 4.3% të aksioneve prej bankës nga Bahreini Ithmaar Bank. Ndërsa në muajin dhjetor 2022, Eurosig financoi e vetme një rritje kapitali prej tre milionë eurosh, duke e çuar pjesëmarrjen e saj në mbi 66% të aksioneve.
Gjatë këtij viti, Eurosig financoi një rritje të mëtejshme kapitali me shtatë milionë euro, duke e çuar pjesëmarrjen e saj në pothuajse 85% të aksioneve.
Ndërkohë më datë 8 dhjetor të këtij viti, Asambleja e aksionerëve të UBA miratoi një rritje të re kapitali, në vlerën 2 miliardë lekë. Kjo është rritja më e madhe e kapitalit në historinë e bankës. Sipas shifrave të raportuara nga banka, në fund të muajit shtator i gjithë kapitali aksioner neto ishte rreth 1.5 miliardë lekë.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të 9-mujorit 2023, UBA zotëronte 0.7% të aktiveve të sektorit bankar shqiptar, për një shumë totale prej 14.4 miliardë lekësh.
Për 9-mujorin 2023, rezultati financiar neto (sipas standardeve lokale të raportimit për qëllime të mbikëqyrjes bankare) ishte negativ në vlerën e 267 milionë lekëve.