16 Vjet që na mungon Xhanfize Keko

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 22 Dhjetor 2007 ndahet nga jeta Xhanfize Keko, regjisore dhe skenariste e mirënjohur shqiptare e filmave për fëmijë.
Ajo u lind në qytetin e Gjirokastrës më 27 Janar të vitit 1928.
Nga viti 1945 ajo do të fillojë punën si biletashitëse pranë kinema “Republikës”. Falë kësaj pune ajo do të zbulojë kinematografinë dhe më 1950 do të fillojë punë në Ndërmarrjen Kinematografike prej nga zgjidhet për të kryer një specializim në Moskë (Rusi), ku do të njohë edhe shokun e vet të jetës regjisorin e njohur Endri Keko.
Me kthimin i saj në Atdhe në vitin 1952 do të jetë një nga shtatë themeluesit e Kinostudios “Shqipëria e Re” ku ajo fillimisht e nis punën si montazhiere dhe më pas si regjisore e filmave dokumentarë.
Pas një përvoje gati 20 vjeçare ajo realizon filmin e saj të parë për fëmijë duke qenë dhe e para regjisore femër në Shqipëri.
Kështu në vitin 1971 nisin xhirimet e filmit “Kryengritje në pallat” për të vazhduar më tej me filma të tjerë si “Mimoza llastica”, “Beni ecën vetë” film i cili do të vlerësohet me Kupën e Festivalit të Parë të Filmit Shqiptar, “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Një vonesë e vogël”, “Taulanti kërkon një motër” etj.

Me këto filma Xhanfize Keko do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivale të ndryshme Ndërkombëtare ku do të vlerësohet disa herë duke qenë kështu dhe regjisorja e parë shqiptare që do të ketë çmime ndërkombëtare.

Kështu filmi “Beni ecën vetë” do të marrë “Medaljen e Nderit” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj “Giffoni Film Festival”, në Itali, në vitin 1976 dhe Çmimin e “Organizatës së Pionierit” si “Filmi më i Mirë për Fëmijë” në Festivalin e Filmit në Beograd, filmi “Tomka dhe shokët e tij” në vitin 1978 në Festivalin e Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Xhifone të Italisë fiton Çmimin Special, filmi “Pas gjurmëve” në vitin 1979 fiton Medaljen e Presidentit të Republikës Italiane, filmi “Kur po xhirohej një film” në vitin 1983 vlerësohet me “Medaljen e Argjendtë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj “Giffoni Film Festival”në Itali.

Por edhe në Atdhe ajo do të vlerësohej për punë e saj të madhe në kinematografinë për fëmijë. Kështu përveç Kupës së Festivalit për filmin “Beni ecën vetë” do të vlerësohet në Festivalin e Tretë të Filmit Shqiptar në vitin 1979 me “Çmimin e Tretë” për filmin “Pas gjurmëve”. Do të vlerësohet me “Çmimin e Madh të Republikës” në vitin 1979. Në vitin 1979 do të vlerësohej me titullin “Artiste e Merituar” ndërsa 5 vjet më vonë do ti jepej edhe titulli i lartë “Artiste e Popullit”
E martuar me regjisorin e njohur Endri Keko ishte nëna e dy fëmijëve e Teodorit, shkrimtarit të njohur, të ndarë para kohe nga familja e tij dhe e Ilirit.
Për nder të saj Çmimi Special i Festivalit të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj “Giffoni-Albania” është titulluar “Çmimi i Madh “Xhanfize Keko” ”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here