68 Vjet Shqipëria në OKB

Në një ditë si kjo dhe pikërisht më 14 dhjetor 1955 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara duke vepruar në bazë të rekomandimit të Këshillit të Sigurimit, mori në shqyrtim kërkesën e Shqipërisë dhe vendosi ta pranonte atë si anëtare të Kombeve të Bashkuara së bashku me 15 shtete të tjera. Ky zgjerim i organizatës me 16 anëtarë të rinj ishte një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të parimit të universalitetit të OKB, forconte autoritetin e saj dhe kontribuonte në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Me 15 dhjetor u njioftua zyrtarisht qeveria shqiptare për vendimin e Asamblesë së Përgjithshme dhe tre ditë më vonë qeveria shqiptare njoftoi për caktimin e delegacionit të saj zyrtar në sesionin e dhjetë të Asamblesë së Përgjithshme.

Që nga ajo kohë Shqipëria ka gëzuar pa ndërprerje statusin e shtetit anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ka dhënë kontribut të vazhdueshem në të mirë të paqes, mirëkuptimit dhe zgjidhjes së problemeve ndërkombëtare me mjete paqësore.

 

Që në mars 1945 qeveria shqiptare e kohës kishte kërkuar pranë Fuqive të Mëdha, të cilat ishin nismëtare të krijimit të OKB, që Shqipëria të konsiderohej si anëtare themeluese e kësaj organizate për hir të pjesëmarrjes së popullit shqiptar në luftën e Dytë Botërore, si pjesë e koalicionit të madh antifashist.

Qeveria e SHBA duke njohur luftën e pabarabartë dhe sakrificat e kontributin e popullit shqiptar në triumfin e kauzës kundër fashizmit, i bënë të qartë qeverisë shqiptare se Fuqitë e Mëdha të krijimit të kësaj organizate kishin rënë dakort të mos ftoheshin në konferencën e San Franciskos qeveritë që nuk ishin njohur akoma nga ato dhe me të cilat si pasojë nuk ishin vendosur marrëdhënie.

Në vitin 1946 qeveria shqiptare kërkoi që vendi të pranohej në OKB në kuadrin e dispozitave të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Komiteti i Pranimeve të Antarëve të Rinj kërkonte informacione shtesë për të shoqëruar aplikimin e qeverisë shqiptare, ndër të tjera mbi zgjidhjen e problemeve në marrëdhëniet me Greqinë, qëndrimin e qeverise komuniste në Tiranë ndaj vlershmërisë së traktateve dhe marrëveshjeve në fuqi të nënshkruara para 7 prillit 1939 midis Shqipërisë dhe shteteve anëtare të OKB, apo informacion zyrtar për zhvillimin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 dhe rezultatin e tyre, etj. Përgjigjet e marra nga pala shqiptare në ato vite nuk kënaqnin të gjithë anëtarët e organizatës dhe kështu kërkesa e Shqipërisë për antarësim në OKB rrëzohej. Lidhur me traktatet e marrëveshjet e nënshkruara para 7 prillit 1939, qeveria shiptare pranonte diskutimin e vlershmërisë së tyre por pasi të ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike me shtetet nënshkruese, qëndrim që nuk gjente dakordësi nga Fuqitë e Mëdha bazuar në të drejtën ndërkombëtare për këto raste.

Pas vetos së parë në gusht 1946, SHBA dhe Britania e Madhe, përdoren këtë veto edhe në vitin 1947 dhe 1949 duke akuzuar qeverinë komuniste të kohës se nuk respektonte të drejtat e njeriut në Shqiperi, se kishte ndërhyrë në luftën civile në Greqi duke pritur refugjatë grekë etj. Situatën e rëndoi edhe Incidenti i Kanalit të Korfuzit, apo prishja e marrëdhënieve me Jugosllavine e Titos 1948, e cila e kishte mbështetur në fillim kërkesën e Shqipërisë. Qeveria shqiptare e përsëriti përsëri kërkesën e saj për pranim në OKB edhe në vitin 1948, në vitin 1952 dhe në vitin 1954.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here