SHQIPËRIA – Poezi nga NAIM FRASHËRI

Bota që kur është zënë
Shqipëria gjall ka qënë,
Pellazg’u thonin më parë,
Më së fundi Shqipëtarë.
Gjuh’që kishin Pellazgjitë,
Atë flisnin Perënditë,
Atë kanë Shqipëtarët,
Siç e kishin dhe të parët.
Greqishten ajo e polli,
Llatinishtja q’atje dolli,
Bijtë t’anë jan’ Elinët,
Si-ndë-kur edhe Llatinët
Edhe gjithë Evropianët,
Që kan dalë nga Romanët.
Neve jemi më të parë
Në Evropë nga ç’do farë.
Gjithë bota vin që moti
Në Tomorr ku ishte Zoti,
Që t’i falen Perëndisë,
Zotit math të Shqipërisë.
Zëri, flaka s’ishte kot
Q’i nxjerr Tomorri dhe sot,
Ahere kish s’di se cinë,
Tani ka Abas Alinë,
Shqipëtari trim me fletë
Ka rrojtur në këtë jetë,
Kemi pasur mbretërira
Edhe fort shumë të mira.
Kemi bërë shumë punë,
Po gjithë vanë për lumë.
Aleksandri ish Shqiptar
Q’u tha i madh kordhëtar.
Selefkët dhe Ptolemenjtë
Edhe gjithë të mëdhenjtë
S’qenë Grekër as Bullgarë,
Ata ishin Shqipëtarë.
Pirua qe nga Shqipëria
Që po e lëvdon istoria.
Skënderbegu Kastrioti
Q’u dëftye aq’i zoti,
Ishte burr i Shqipërisë
Q’i dha dërmënë Turqisë.
Ç’burra ndron Shqipëria
Që i shkruan istoria.
Bajraktar e Qyperlinjë,
Shkodran e Mehmet Alinë,
Xhavella e Marko Sulë,
Babulinë e Mihaulë,
Q’i dhanë dërmën Turqisë
Dh’i vunë nder trimërisë.
Si këta e si të tjerë
Që qenë shumë të ndjerë.
Po nga gjithë trimëria
Nuk fitoi gjë Shqipëria.
Për këdo që ne luftuam,
E mbajtmë e i liruam.
Të gjithë na u harruan
Dhe sot të ligën na e duan.
Me kaqë burra të vyer
Qysh u ndothmë të gënjyer?
E ç’e desha trimërinë
Kur s’mu ndoth për Shqipërinë?
Me nder t’ënë rroj Turqija
Po aq vuan Shqipëria.
Ka vuar edhe vuan
Turqit neve nuk na duan.
Neve e bëmë Greqinë
E po Grekërit na e dinë?
S’duan fare të na shohin,
Shqipërinë sot s’e njohin.
Shqipëria ron si ropi.
Mendohet për të Evropi?
Mos durofsh i Madhi Zot
Të jetë në zgjedhë sot!
Burr i math që luftuar
Edhe botën ke liruar!
Ç’të na bënjë trimëria
Sa me qënë gjallë padija?
Shqipëri! Pse s’ish e zonja
Të bënje tri katër shkronja?
Pse të jesë Shqipëria,
Ta mbulonjë babëzia?
Duke pasur burra trima
Të humbet si vetëtima?
Ah! Zoti mos e dhëntë!
Ejani të mbledhim mentë!
Sofje, Bulgari 1902.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here