Në një ditë si sot dhe pikërisht më 20 nëntor 1866 u lind në Shkodër Ndre Mjeda, i biri i Jakut të Zef Kryeziut nga Mirdita dhe Luçijes së Shtjefën Thaçit. I mbetur jetim nga i ati herët, u regjistrua në kolegjin saverian të porsahapur; ku studioi nga 5 prill 1877 deri më 1880. Shoqëria e Jezuit e dërgoi djaloshin Mjeda jashtë për studime e specializime. Më 27 mars 1880 ai kish hyrë në Shoqatën e Jezuitëve të Provincës së Venecias. Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien, sot në qarkun Mayenne të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian “Porta Coeli” në veri të Valencias në Spanjë, ku studjoi për letërsi.
Më 1883 gjendej në Porto Re duke studjuar retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 në kolegjin “Marco Gerolamo Vida” në Kremona që drejtohej nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj tjetër gregorian në Chieri, në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti.
Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin “Marco Girolamo Vida” në Kremona. Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit, ku dhe u njoh me veprat albanologjike të Meyer e Pedersen. Më 1893 gjendej në Goricia, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Më 1898 për arsye fërkimesh mes Vatikanit dhe Perandorisë Austro Hungareze, Mjeda u përjashtua nga Shoqëria e Jezuit.
Më 1899 u emërua famullitar në Vig dhe u anëtarësua në shoqërinë “Bashkimi” Por më pas u largua dhe me të vëllain, themeluan shoqërinë “Agimi”. Shkurtin e 1902 i dërgon një letër apokrife konsullatave të huaja për kërkesat që kishin kryengritësit mirditorë në atë kohë. Nga 17 marsi i 1905 deri më 15 mars 1906 shërbeu si famullitar në Dajç dhe më pas në Kukël. Më 1908 si përfaqësues i shoqërisë “Agimi” mori pjesë në takimet që u bënë me rastin e Kongresit të Manastirit.
Më 1913-1916, pas mbarimit të rrethimit të Shkodrës, vijoi të shërbente si famullitar i Kuklit, ku në mars të 1914 hartoi një projekt për krijimin e një ferme bujqësore moderne të cilin ia dorëzoi konsullit të përgjithshëm të Perandorisë Austro-Hungareze në Shkodër, Hallas. Organizoi qëndresën kur serbët ripushtuan zonën dhe në ikje e sipër e arrestuan në janar të 1916.
Gjatë administrimit austro-hungarez, u thirr në Shkodër si anëtar i Komisis Letrare dhe më 11 dhjetor 1916 u emërtua veprues i Komisisë me rrogë. Në maj të 1917 ndërmori një ekspeditë shkencore trijavore në qytetin dhe krahinën e Elbasanit për të gjurmuar veçoritë e të folmes së elbasanishtes, që Komisia kishte vendosur të ishte baza e shqipes së njësuar.
Më 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës, u rizgjodh në dhjetorin e 1923; në famullinë e tij në Kukël kishte lënë zëvendës Dom Ndre Zadejën. Gjatë veprimtarisë parlamentare, Mjeda në qershor 1921 u caktua në Komisionin parlamentar të Drejtësisë. Në korrik mbajti një fjalim të fuqishëm për çështjen e masakrave serbe në Kosovë. Hartoi edhe pjesë nga rregullorja e brendshme e parlamentit të kohës, përkatësisht ligjin për formimin e komisionit për shqyrtimin e zgjedhjeve të deputetëve, si dhe funksionimin e tij. Pas vrasjes së Avni Rustemit, Mjeda bashkë me kolegët e vet përfaqësues të Shkodrës, u kthye në Shkodër dhe në maj të 1924 nxit fshatarët e Kuklit që të përkrahnin revoltimin e njësive të ushtrisë që çuan drejt Lëvizjes së Qershorit dhe qe pjesë e shtabit të kryengritjes.
Pas rikthimit të Zogut, tek po bëhej gati të shkonte me autobus në Tiranë që të merrte pjesë në punimet e Asamblesë, u arrestua dhe u burgos në Prefekturën e qytetit të Shkodrës nga 14 janari deri më 2 mars 1925. U tërhoq nga jeta politike dhe u kthye në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër. Ndërroi jetë më 1 gusht 1937 nga një atak në zemër.
Gjatë viteve studentore nisi të shkruante poezi, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar Vaji i bylbylit, botuar më 1886 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha Vorri i Skanderbegut.
Vjersha e Mjedës Gjûha shqype, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer.
Në krye të shoqërisë “Agimi” botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike me kroatishten si model. Me këtë alfabet Mjeda dhe Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjeda. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e qiellzoreve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe).
Fazës së dytë të krijimtarisë e cila nisi pas Luftës I Botërore i përkasin poemat në tingëllima “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme.
Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934) Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e Bogdanit (1930) dhe të Budit (1932) shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e Ungjilliz të shek. XIV-XV (1933)