Shqipëria merr drejtimin e Këshillit të Sigurimit të OKB. Rama: “Jemi të privilegjuar.”

Sot, më 1 Qershor 2022 Shqipëria merr Presidencën  e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama. Kjo është ngjarja e parë ku Shqipëria merr drejtimin e një organizate ndërkombëtare me rëndësi sa OKB-ja.

Fjala e plotë e Kryeministrit në videon e tij përshëndetëse:

“Kjo është dekada e tretë e mijëvjeçarit të tretë. Bota është e trazuar dhe ne vazhdojmë  të  jemi dëshmitarë  të mizorive të papërshkrueshme, në më shumë  se pesëdhjetë konflikte përreth globit. Demokracia dhe të  drejtat e njeriut po sprovohen rëndë, në anë  të ndryshme të botës. U bë shumë gjatë që shohim abuzime masive me të drejtat e njeriut, nga Darfuri në Mianmar, nga Afganistani në Siri dhe bashkësia ndërkombëtare po lufton t’i vendosë autorët e krimeve të  rënda para përgjegjësisë. Në Evropë, plagët e luftërave që pasuan shpërbërjen e Ish-Jugosllavisë sidomos në Kosovë janë  ende të hapura. Po bëjmë gjithçka mundemi për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën por duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë Europiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla.

Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë, është urgjente të veprojmë,tani për viktimat e panumërta të konflikteve të pakuptimta, por edhe për ne të gjithë për atë çka besojmë, për atë çka na bën bashkë për të mbrojtur ligjin, për të ruajtur veprimin shumëpalësh. Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur, pjesën tonë për të përmbushur. Kjo është arsyeja, pse ngjarja e parë përfaqësuese e Shqipërisë në Presidencën e saj të parë të Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, që do të kem nderin të kryesoj me 2 Qershor, i kushtohet “Forcimit të llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së Drejtës Ndërkombëtare.” Kombet e Bashkuara nuk kanë vlerë më të  lartë për të promovuar sesa drejtësia dhe sundimi i ligjit.” Shqipëria e promovon atë kombëtarisht dhe e mbron ndërkombëtarisht. Drejtësia dhe Paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim. Jemi të privilegjuar t’u japim zë bindjeve tona e do ta drejtojmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort.”

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here