Në një ditë si sot dhe pikërisht më 6 nëntor 1828, u mblodh në Berat kuvendi i krerëve shqiptarë. Kuvendi i zhvilloi punimet e veta në mbledhje të fshehta, që zgjatën nga 6 deri më 8 të atij muaji dhe u mbajtën nën kryesinë e Ismail bej Vlorës, Iljaz Podës dhe Shahin bej Delvinës. Në kuvend u diskutua kryesisht për çështjen e qeverisjes dhe u theksua se funksionarët osmanë kishin përqendruar në duart e tyre të gjitha privilegjet, duke dëbuar vendasit. Prandaj u vendos që të thyhej autoriteti i vezirit nga Kytahijaja e Anadollit, ta largonin atë nga qeverisja e Shqipërisë dhe nëse ai do të zëvendësohej me të tjerë, edhe këta të dëboheshin duke u krijuar pengesa, derisa pushteti i vendit të përqendrohej në dorën e shqiptarëve. Mendohej që ky synim të arrihej para se Stambolli të zgjidhte mosmarrëveshjet e veta me Fuqitë e Mëdha, sepse kur Mehmet Reshid pashës t’i liroheshin duart, ai do të hakmerrej ashpërsisht ndaj tyre dhe do ta nënshtronte vendin duke përdorur shqiptarët kundër shqiptarëve.
Ky veprim shënoi fillimin e lëvizjes feudale shqiptare për vetëqeverisjen e vendit si në kohën e Ali pashë Tepelenës.
Lëvizja mori karakterin e një revolte të vërtetë, që u shoqërua me dëbimin e funksionarëve osmanë dhe me vendosjen e pushtetit të parisë shqiptare në krahinat përreth Janinës, në Zagori, Konicë, Mecovë.