NUK I DHIMBSENI ASKUJT ME “MEA CULPAT” TUAJA

29 Tetor 2021

Ripostim  Evanthi Pango

“Një çudi e madhe e ka përfshirë skenën politike shqiptare, një diarre “Mea Culpash” ku secili prej figurave te tranzicionit të këtyre 30 vjetëve, po pranon pjesën e vet të fajit. Po për çfarë?

Se ndihen vërtet fajtorë?
Sigurisht që jo! T’i marrim me rradhë:
E nisi Presidenti, ish-Kryeministër, ish-Kryetar i Kuvendit, ish-kryetar i LSI, z.Ilir Meta, ku pasi “ngriti në këmbë” qindra mijëra qytetarë, duke përdorur ca patriotizëm Kombëtar, ca teori konspirative, ca histori me Kriminelë që donin ta vrisnin, e vuri veten në vendin e një dëshmori potencial, shumë i penduar që dikur ka bashkëqeverisur me KM aktual, duke marrë pjesën e tij të fajit, bashkë me të shoqen për këtë “monstër qeverisje”.
E vazhdoi Z.Sali Berisha, ISH-President, ISH- Kryeministër, Kryetari legjendar i Partisë Demokratike, deputet i përjetshëm, duke marrë pjesën e tij të fajit, përpos të tjerave, për vendosjen në Krye të Partisë Demokratike të Z.Lulzim Basha.
“MEA CULPAT” ditët e fundit janë shtuar, dhe vazhdojmë me Kryetarin De Juro të Partisë Demokratike, Ish- Kryetar i Bashkisë Tiranë, ish Ministër-I Brendshëm, Ish-Ministër Transporti, aspirant për Kryeministër, Zoti Lulzim Basha, që duke u distancuar, futi në një trinom tri aktorët e tjerë politikë të tranzicionit, e duke thënë se ka pjesën e tij të fajit në mosrrëzimin e pushtetit të Kryeministrit aktual.
Dhe së fundmi, “Mbreti i Pishmanit”, Kryeministri aktual, që sa herë kritikohet për ndonjë gjë (gjëra me shumë zarar ku është përgjegjës për fatin e një vendi të tërë) tërhiqet e distancohet duke bërë si i penduar. “Fajin e ka sistemi” thotë KOKA E SISTEMIT. Tani do kërkojmë edhe mbështetjen e partnetëve tanë strategjikë për reformimin e Sistemit.
Unë nuk e di se kujt i dhimbsen më këta njerëz, se mua dhe gjithë të tjerëve që jetojmë në këtë PALOSHTET, me siguri që jo!
Por për një gjë jam e sigurtë:
“MEA CULPAT” i bëjnë ndër të tjera, për një arsye kryesore, se u dhimbset vetja e tyre!”

Ripostim nga Evanthi PANGO

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here