Në një ditë si dot dhe pikërisht më 2 tetor 2017, ndërroi jetë albanologu Robert Elsie. Studiuesi gjerman me origjinë kanadeze rrëmoi në gurrën popullore shqiptare, duke nxjerrë në pah faqe botës tiparet dalluese të kombit në rrjedhë të shekujve. Vepra e konsiderueshme që la pas përbën një pasuri ndërdisiplinore, që përfshin trashëgiminë shpirtërore, kulturore, historike dhe gjuhësore të popullit shqiptar. Publikimet më të rëndësishme të Elsie-së në mesin e veprimtarisë së tij të gjerë kërkimore dhe shkencore janë studime mbi etnografinë, etnologjinë, antropologjinë, filologjinë e tekstit, historinë e shkrimeve, gjuhësinë, etnokulturën, letërsinë gojore dhe të shkruar, besimet, kultin dhe shkrimet e shenjta. Mes tyre veçojmë: “Migjeni, Freie Verse”, një përkthim gjermanisht i veprës së poetit të mjerimit, Migjenit; “Anthology of modern Albanian poetry” (1993), një antologji e letërsisë bashkëkohore shqiptare; “History of Albanian literature” (1995, 1997, 2001), histori e letërsisë shqiptare; “Der Kanun” (2001), një përkthim i Kanunit; “Historical Dictionary of Albania” (2004, 2010), fjalor historik për Shqipërinë; “Historical Dictionary of Kosova” (2004, 2011), fjalor historik i Kosovës; “Albanian literature: a short history” (2005, 2006), histori e shkurtër e letërsisë shqipe dhe “Fjalori historik i Shqipërisë” (2011). Elsie qe anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë në hulumtimin e vlerave kombëtare, i janë akorduar titujt e nderit “Medalja e Mirënjohjes” (2013) dhe “Medalja e Artë ‘Lidhja e Prizrenit’”.
Amaneti i tij ishte të prehej në Alpet Shqiptare.