Në një ditë si sot dhe pikërisht më 27 shtator të vitit 1944, ndërroi jetë atdhetari Petro Poga.
Më 27 shtator 1944 ndërroi jetë Petro Poga, veprimtari dhe atdhetari shqiptar. I takonte brezit të fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Lindi në Erind të Gjirokastrës, në vitin 1860. Në vendlindje ndoqi mësimet e para. Më pas shkollohet në Gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe pastaj në degën e Drejtësisë së Universitetit të Stambollit, ku fitoi një kulturë të gjerë. Njihte mirë disa gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht, greqisht dhe turqisht. Në Stamboll bashkëpunoi me vëllezërit, Frashëri. Në vitin 1884 themeloi dhe botoi gazetën “Drita” të Stambollit. Në vitet 1906-1908, Petro Poga ishte në Gjirokastër ku dha ndihmesën në përhapjen e gjuhës shqipe dhe ndjenjave kombëtare. Roli i tij më i dukshëm u shfaq në themelimin e Klubit Patriotik “Drita” të Gjirokastrës.
Më 28 nëntor 1912, paria e vendlindjes, Gjirokastrës, i besoi përgjegjësinë dhe privilegjin e përveçëm e të qenit delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës.
Kështu, figura e veprimtarit, dëshmues dhe protagonist në kulmet e historisë së vendit, u përjetësua në aktin themelues të shtetit shqiptar. Në përfundimet e punimeve të Kuvendit, u caktua Ministër i Drejtësisë. Më 25 dhjetor 1918 përfaqësoi sërish Gjirokastrën në Kongresin e Durrësit, ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i kabinetit të Turhan Pashës. Meqenëse pati përvetësuar parimet e Përndritjes, dha ndihmesë në përhapjen e gjuhës shqipe dhe në zgjimin e ndërgjegjës kombëtare. Roli i tij më i dukshëm u shfaq në themelimin e Klubit Patriotik “Drita” të Gjirokastrës. Pleqërinë e ngrysi në vendlindjen e tij, në Erind.