“Rroftë Shqipëria e lirë” “Poshtë komunizmi”, “Poshtë diktatura”, “Ne jemi me Evropën e lirë”, ishin thirrjet që oshëtinë grykave të maleve të Mirditës kur të burgosurit politik të Spaçit u ngritën në revoltë kundër diktaturës.
50 vjet më parë, më 21 maj 1973, djem e burra trima u përballën me versionin më të egër të diktaturës kur guxuan të kundërshtojnë dhunën, torturat, urinë, skllavërinë prej punën së detyruar në galeritë e ftohta të minierës së piritit e bakrit. Ata që guxuan të ëndërronin një Shqipëri të lirë. Të burgosur padrejtësisht, pas vitesh pune të detyruar, torturë dhe represion, ata u ngritën kundër regjimit më brutal të Evropës. Revolta e të burgosurve politikë kundër shtypësve të tyre ishte e padëgjuar në Shqipërinë komuniste, por ishte shte jetëshkurtër: Revolta e Spaçit zgjati vetëm 3 ditë dhe u shtyp brutalisht në ditën e saj të tretë. Sot ende vijnë dëshmitë e protagonistëve të revoltës dhe dëshmitarëve të saj nga ish-të burgosur politik në burgun e Spaçit si; Pavllo Popi, Gëzim Çela, Visar Zhiti, Xhavit Lohja, Zenel Dragu, Ylber Merdani, Tomi Kondakçi, Gjetë Kadeli. Revolta u shtyp me dhunë dhe për organizimin e saj u pushkatuan Skënder Daja (23 vjeç), Dervish Bejko (27 vjeç), Hajri Pashaj (29 vjeç) dhe Pal Zefi (33 vjeç) Eshtrat e tyre nuk janë gjetur ende. Dhjetëra të burgosur të tjerë u ridënuan me burg. “Ata ishin martirë, ata dhanë jetën, ne mbetëm gjallë për të treguar trimërinë e tyre”- ka thënë bashkëvuajtësi i tyre, Ylber Merdani.