Ditën e sotme janë nxjerrë nga kampi Al-Hol në Siri 13 shqiptarë nga të cilët, 4 gra dhe 9 fëmijë.
Lajmi është bërë i ditur nga zyrtari i lartë sirian “Abdulkarim Omar”, i cili ka shkruar në Twitter sot:
“27 Maj 2022, 13 shtetas shqiptarë (4 gra dhe 9 fëmijë) të familjeve të organizatës ISIS i janë dorëzuar një delegacioni zyrtar të qeverisë shqiptare, pas nënshkrimit të dokumentit zyrtar të dorëzimit ndërmjet AANES dhe Republikës së Shqipërisë”.
Gratë dhe fëmijët u janë dorëzuar autoriteteve shqiptare dhe deri më tani nuk ka një reagim nga autoritetet shqiptare mbi riatdhesimin e tyre.
Riatdhesimet e fundit të shtetasve shqiptarë ishin në fund të korrikut të kaluar kur erdhën 5 gra shqiptare dhe 14 fëmijë që jetonin prej vitesh në kampin famëkeq “Al Hol”.
Prej vitesh me dhjetëra familje shqiptare të indoktrinuar nga rryma fetare u larguan nga Shqipëria për luftën e xhihadit. Me këtë riatdhesim kanë mbetur më pak shqiptarë në këto kampe për të cilët po punohet që të bëhet e mundur rikthimi në atdhe.