Sot kremtohet lindja e Hyjlindëses së Përmbishenjtë Maria, që ishte e zgjedhura e Perëndisë përpara të gjitha kohëve për të qenë Eva e re, Nëna e Krishtit. Perëndia në urtësinë e Tij tregoi shterpësinë e natyrës njerëzore përpara ardhjes së Krishtit, duke i lënë Joakimin dhe Anën, prindërit e Shën Marisë, pa fëmijë, derisa ata arritën një moshë të shtyrë. Një ditë feste, ai shkoi në tempull për të paraqitur ofertën e tij, kur një nga anëtarët e fisit të Rubenit u kthye nga ai dhe tha: “Ti nuk lejohesh të ofrosh me ne, sepse nuk ke fëmijë!”. Këto fjalë e mërzitën Joakimin, i cili në vend të kthehej në shtëpi, shkoi në një mal i vetëm dhe qau për shumë kohë, edhe Ana gjithashtu po derdhte lot të shumtë në të njëjtën orë dhe po luste qiellin me përgjëratë. Perëndia ynë, që është i pasur në mëshirë dhe në përdëllime, i dëgjoi lutjet e tyre dhe dërgoi lajmprurësin e Mirësisë së Tij dhe të shpëtimit tonë, Kryeengjëllin Gabriel tek Ana. Ai i lajmëroi asaj se do të lindte në moshë të madhe, do të lindte një fëmijë, që do të lavdërohej në të gjithë dheun. Plot gëzim dhe habi, ajo tha: “Siç është e vërtetë që Perëndia jeton, çfarëdo që të jetë fëmija im, djalë apo vajzë, unë do t’ia përkushtoj Zotit, Perëndisë tim, për t’i shërbyer Atij tërë ditët e jetës së tij”. Edhe Joakimi u vizitua gjithashtu nga një engjëll, i cili i tha të çonte kopetë në shtëpi, për t’u gëzuar me gruan dhe fëmijët, sepse Perëndia kishte vendosur t’i japë fund turpit të tij. Kur kaluan nëntë muaj, Ana lindi dhe e pyeti maminë: “Çfarë kam sjellë në këtë botë?”. “Një vajzë”, u përgjigj ajo. “Shpirti im është madhëruar këtë ditë”, tha Ana dhe e uli foshnjën në djep. Dhe kur erdhi dita e pastrimit të saj sipas Ligjit, ajo u ngrit, e lau e i dha gji foshnjës dhe e quajti atë Mari, një emër që pritej fshehtazi nga patriarkët, profetët dhe të drejtët, me anë të të cilit Perëndia do të zbulonte misterin e fshehur nga përjetësia. Fëmija u rrit i fortë dhe nëna e saj e vendosi në tokë kur u bë gjashtë muajsh për të parë nëse ajo do të qëndronte më këmbë ose jo. Maria bëri shtatë hapa dhe u kthye në gjirin e nënës së saj. Ana e ngriti lart duke thënë: “Siç është e vërtetë që jeton Perëndia, ti nuk do të ecësh më në tokë, derisa unë do të çoj në tempullin e Zotit”. Nëna e saj e ruajti dhomën ku ndodhej fëmija si një vend të shenjtë dhe asgjë e keqe dhe e papastër nuk hyri aty. Për më tepër ajo pranonte vetëm vajza hebreje të linjës së pastër që të luanin bashkë me fëmijën. Kur vajza mbushi një vjeç, Joakimi shtroi një banket të madh. Ai ftoi priftërinjtë dhe tërë njerëzit e shquar të Izraelit. Ai ua prezantoi Marinë priftërinjve dhe ata e bekuan duke thënë: “Perëndi i etërve tanë, bekoje këtë fëmijë të vogël dhe jepi asaj një emër të përjetshëm që të lavdërohet në tërë gjeneratat”. Dhe të gjithë pjesëmarrësit u përgjigjën: “Kështu qoftë! Amin!”. Joakimi e paraqiti fëmijën edhe te kryepriftërinjtë për ta bekuar, të cilët thanë: “O Perëndi që madhështohesh pafundësisht, hidh vështrimin tënd mbi këtë fëmijë dhe fali asaj bekimin më të lartë dhe më të pakrahasueshëm”. Atëherë nëna e saj e çoi fëmijën në vendin e shenjtë që e kishte përgatitur dhe i dha gji, duke kënduar këtë himn: “Do t’i këndoj Zotit Perëndisë tim, se Ai më vizitoi dhe e hoqi tej qortimin që më bënin armiqtë e mi. Sepse Zoti më ka dhënë frytin e drejtësisë së Tij. Mësoni, o dymbëdhjetë fise të Izraelit që Ana është një nënë!”. Pastaj ajo e la fëmijën në vendin e shenjtë që i ishte rezervuar dhe shkoi t’u shërbejë të ftuarve dhe lavdëroi Perëndinë e Izraelit.