Nga EVANTHI PANGO
“Ishte e papunë dhe kishte probleme me alkoolin, mbante dhe disa shishe birre në dorë” këto ishin frazat që u përdorën nga motra e saj dhe një pjese të shoqërisë, për të justifikuar marrjen e jetës së Amandës, 37 vjeçares së bukur, por që ju këput jeta në lule të rinisë.
Në 2023, ku janë hapur pafund institucione rehabilituese, por që e vetmja gjë që do të duhej të të çonte drejt tyre dhe heqjes së vesit do të duhet të ishte dashuria e të afërmve, duket se pikërisht kjo e fundit mungonte.
Pse kanë kohë 3 gra që jetojnë në një shtëpi, të rrinë të merren me njëra-tjetrën dhe jo të dalin secila në jetën dhe hallet e tyre?
Pse jetojnë 2 gra nga 40 vjeç në shtëpi me nënën?
Dhe jo, nuk po them domosdoshmërisht të martohen, por për marrjen në dorë të jetës së gjithësecilës, kush po e pamundëson shkëputjen nga familja deri në moshë të vonë të të “rriturve shqiptarë” që së fundmi masivisht po duket se vuajnë nga një ndjenjë e pashoqe egoizmi dhe piterpanizmi.
Nga të dhënat që kam, nuk bëhet fjalë për gra të divorcuara, por për vajza që nuk janë shkëputur kurrë nga prindërit.
40 vjeç, kur Evropa prej vitesh ka sponsorizuar politika të shkëputjes nga familja që në moshën 18 vjeç.
Përse, një grua 40 vjeç, për
ironi të fatit mësuese, nuk ka marrë ende përgjegjësi në jetë, por rri e merret me jetën e motrës së saj më të vogël, dhe siç duket jo nga dashuria.
Dashuria, nuk vret miq!
Por si gjithmonë, në shoqërinë shqiptare, kur nuk hyn ligji e shteti, hyn krimi.
Dhe të fshehësh vrasjen e motrës pasi e ke bërë, nuk është thjesht krim, është ligësi, ligësi e pastër.
Nxitur ca nga pamundësia ekonomike që të mundësojë shkëputjen nga prindërit, dhe ca nga komplekset e një femre që do të duhej të merrej me jetën e saj, dhe aq më tepër, të ndihmonte motrën të dilte nga bataku i veseve që kishte rënë, meqë ishte e shqetësuar nën një çati.
Kjo është “ mësuesja vrasëse”, që do të duhej të edukonte brezat, por në fakt i mbjell urrejtjen dhe vëllavrasjen.
Sepse mësuesja do të duhet të ishte sistemi!
Dhe ku nuk ka sistem, ka urrejtje, komplekse, e krim!