165 Vjet At Stath Melani

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 18 shtator 1858

lindi në Melan të Përmetit, At Stath Melani, prift ortodoks shqiptar që mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe ndihmoi në përhapjen e ndërgjegjësimit për gjuhën e shkruar shqipe në Shqipërinë e Jugut.
Gjatë viteve 1876-1877  Stathi shkon në Stamboll ku  takohet me shumë patriotë shqiptarë dhe aktivizohet në shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe, kryesisht të ardhur nga Bukureshti. Veprimtaria e Melanit dhe e patriotëve të tjerë shqetësoi autoritetet osmane duke e detyruar Melanin të emigrojë në SHBA për t’i shpëtuar arrestimit.
Ai u bë prift në Kishën e Shën Mërisë në Worcester, Massachusetts dhe në vitet 1914 – 1917 shërbeu si prift për Kishën e Shën Nikollës në Southbridge, Massachusetts, SHBA.
Aktivizimi i tij nacionalist shqiptar zgjati 35 vjet duke filluar në Stamboll, për të vazhduar në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri. Ai kontribuoi në Rilindjen Shqiptare me shkrime, libra, gazeta dhe tregime.
Mihal Grameno e përshkroi Melanin si “një patriot flakërues, i urtë, trim dhe këmbëngulës në luftën për të drejtat e shqiptarëve gjatë kohës së Sulltan Abdul Hamidit II”.
Melani ishte jo vetëm prift, por edhe trim i armatosur.
Ai u vra më 24 dhjetor 1917,  në prag të Krishtlindjes nga një grup nacionalistësh grekë (andartë), afër Përmetit për përdorimin e gjuhës shqipe gjatë meshës ortodokse dhe koka e tij u dërgua në Greqi.

Vdekja e At Stath Melanit shkaktoi një valë protestash në zonat jugore të banuara nga shqiptarët, si dhe në diasporën e shqiptarëve në SHBA dhe gjetkë.

Tre vjet më vonë, në vitin 1920, Thanas Budo ekzekutoi Josif Suropullin, njeriun që kishte vrarë Stathi Melanin, pak jashtë Postenanit, në Përmet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here