U lind në Delvinë më 2 gusht 1923 në gjirin e një familjeje të respektuar qytetare. Ishte i përkëdheluri i familjes, sepse ishte më i vogël nga të gjithë fëmijët e tjerë. Panajoti u “mëkua” me vallen e bukur të krahinës së vet qysh në fëmijëri në sheshin e qytetit të lindjes dhe pas dy dekadash, këmba e tij shkeli në rrugët e Tiranës dhe dora e tij trokiti në qendrën e kultit të artit, në dyert e Teatrit Kombëtar. Dhe këtë e bëri në përfundim të Liceut Klasik, në vitin 1943. Ishte viti 1946 kur Panajot Kanaçi mblodhi rreth vetes djem e vajza që kishin dëshirë të kërcenin e të vallëzonin dhe me to ai krijoi bërthamën e parë të trupës artistike të baletit. Dhe këtë trupë ai e përgatiti në ambientet e Shtëpisë së Pionierit Tiranë. Në bashkëpunim me dramaturgun e kahershëm Kolë Jakova dhe me muzikën e të mrekullueshmit Tish Daija, Panajot Kanaçi arriti të vinte në skenën e baletit një perlë, një gjerdan, një pjesë nga shpirti i tij, diçka nga dheu mëmë. Ishte viti 1963 kur koreografi tejet i shquar Kanaçi vuri në skenë baletin “Halili dhe Hajrija”. Kush e pa në ato vite e kush e ndoqi më pas për pesë dekada, mbeti i befasuar nga ajo dramë shqiptare, me muzikë shqiptare e nga kërcimi po aq shqiptar. Nuk do të kalonin shumë vite kur, nën drejtimin e Panajot Kanaçit, nën jehonën e Festivalit të Rinisë që u organizua në Varshavë (Poloni), me “Vallen e Tiranës”, grupi ynë fitoi çmimin e dytë.
E kush mund ta harrojë shkëlqimin e këtij ansambli rrugëve të Dizhonit, ku valltarët tanë hodhën kilometra të tëra më këmbë nëpër rrugët e këtij qyteti francez nën ritmin e valles e sidomos të magjisë së ndërthurur nga mjeshtri Kanaçi “Festë të madhe ka sot Shqipëria”. Ishte kjo valle e mjaft të tjera gjatë rrugëtimit në Dizhon, që i dhuroi trupës sonë Gjerdanin e Artë. E kjo skenë e paharrueshme, shoqëruar nga vallet e shumta firmosur nga koreografi i talentuar Panajot Kanaçi ishin mburrja dhe krenaria e Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore.
Baletmaestrit Panajot Kanaçi iu dha titulli “Artist i Popullit” dhe gjithashtu “Qytetar Nderi i Delvinës”!