Si sot, në vitin 527 pas Krishtit, Justiniani Parë, perandor me origjinë Ilire, bëhet sundimtari i vetëm i Perandorisë Bizantine. Ai ringjalli madhështinë e perandorisë dhe ripushtoi gjysmën e humbur perëndimore të Perandorisë historike Romake.
“Ndër dardanët e Evropës që jetojnë përtej kufijve të Epidamnëve, afër kalasë që quhet Bederiana, ishte një fshat me emrin Taurisium, prej nga lindi perandori Justinian, themeluesi i botës së qytetëruar.” – Prokopi (Historian romak)
(Flavius Anicus Justiniaus, 483-565). Perandor bizantin me prejardhje ilire, nga fshati Tauris i Dardanisë, pranë fortesës Bederiana. Gjatë sundimit të tij (527-565) “Perandoria Bizantine” ishte ende shtet i fuqishëm. Ai u përpoq të ringjallte perandorinë e dikurshme romake, pushtoi Afrikën Veriore, Siçilinë, Italinë e një pjesë të Spanjës. Kodifikoi të drejtën romake. Ndërmori punime të mëdha ndërtimi, sidomos për të mbrojtur kufijtë e perandorisë nga sulmet e barbarëve. Rindërtoi kështjella të vjetra dhe ndërtoi mjaft të reja, zakonish: me planimetri katërkëndëshe dhe me kulla në skajet. Në provincat ilire të Dardanisë rindërtoi të tilla 61 dhe ndërtoi të reja, 8, në Epirin e Vjetër rindërtoi 25, të reja 12, në Epirin e Ri rindërtoi 26, të reja 32. Emrat e kështjellave të përmendura me këtë rast në veprën e Prokopit të Cesaresë (shih) «Mbi ndërtimet» përbëjnë një burim të rëndësishëm për onomastikën ilire.