Çerçiz Topulli dhe Hilmi Mustafa Leskovikun (Muço Qulli) u pushkatuan më 15 korrik 1915 në Fushën e Shtojit, afër Shkodrës nga pushtuesit malazezë.
Për 21 vite; nga 15 korriku i 1915-ës e deri më 14 shtator të 1936-ës, eshtrat e dy atdhetarëve ishin varrosur afër vendit ku u flijuan te Fusha e Shtoit në Shkodër. Më 14 shtator 1936 u zbuluan dhe u zhvarrosën eshtrat nga Prefekti i Shkodrës, z.Javer Hurshiti, i cili ishte mik fëmijërie me Çerçizin. Javeri identifikoi eshtrat e Çerçizit nga një dhëmb floriri, që e kishin të dy të njëjtë.
Fjalimi i At’ Anton Harapit me rastin e përcjelljes së eshtrave të Çerciz Topullit dhe të Muço Qullit:
“Ndaluni! Ku veni burra?! Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, ktu në log të kuvendit para se të daheni. Do ta leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së parit pat t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shndoshtë, gëzueshëm e rritët shtatin, atje prej kah Shqypnija u qiti dhe u ndriti!
…Veç, o burra, qi, dekun, flitni, të metun, njalleni, të hupun, sod ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqypnis, deh, lshonie nji za, at zanin t’uej kumbues si të luajve, diftoni djelmnis shqiptare shka u ushqeu idealin, shka u mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.
….T’i diftojm, po, botës, se shqyptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedan e kristjan, e njiherit shqyptarë të njimendtë.
Zoti i vërtetë e Atdheu le të na bashkojn, Zoti e Atdheu të na mbajn, me Zot e me Atdhe të lumnojm!”