Jemi në pranverën e Rilindjes sonë Kombëtare kur Masakra barbare e Manastirit e vitit 1830 la një shije të hidhur farmak e boshllëk të kapaciteteve flamurmbajtës. Besëlidhja e Beratit nuk ishte thjesht e vetëm një lidhje ushtarake ndërkrahinore. Ajo vlerësohej si një organ qeverisjeje e dalë nga lufta dhe si pararendëse e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Prijësit e saj më të guximshëm, si Abaz bej Lushnja, Tafil Buzi, Zyber Hoxha e të tjerë synonin të krijonin një hapësirë të pavarur nga qeverisja dhe ndikimi otoman e ideuar nga Kryetari i saj, Abaz Bej Lushnja, kësaj figure të ndritur, që nga nëna, ai njihej si i afërm me Ali Pashë Tepelenën. Ndërsa, nga babai, ishte nip i Ahmet Kurt Pashës, feudal i martuar me të bijën e Ismail Pashë Velabishtit. Kurt Pasha i Ngurrëzës, dhëndërr i sundimtarit të Beratit, pas vdekjes së vjehrrit mori pronat dhe titujt e tij, të cilat i ruajti për 14 vite me radhë, deri më 1787. Një pjesë të pronave pa mbarim, ato të Lushnjës, pashai i la të birit, Mehmet Pashës. Lagjja e sotme “Xhevdet Nepravishta” dikur kishte emrin e tij. Pikërisht këtu, më 1790 lindi Abazi, patrioti që guxoi të udhëheq një besëlidhje politiko – ushtarake, e cila tronditi seriozisht Portën e Lartë.
Sipas burimeve, ai ishte “një njeri i drejtë dhe i prerë”. Abazi dallohej për shpirtin e gjërë human, sepse “ndante bukë për fukaran”. Për myzeqarët dhe jo vetëm në Ngurrëz apo në Lushnjë, beu ishte “trim dhe kapedan”. Në defterët osmanë po u dilte një “feudal i pasur dhe me influence në popull”, “nxitës i revoltave dhe kundërshtues i Reformave të Tanzimatit, që kishte shumë njerëz pranë vetes”. Që në kohën e gjyshit të Abazit, familja kishte 45 shtëpi dhe shumë prona e cifligje në Ngurrëz, Lushnjë, Bishqethëm, Lumth, Karbunarë etj.
Për më tepër, ai ishte edhe nip e trashëgimtar i Sulejman Pashës, bejlerbeut të Beratit, i cili vdiq më 26 prill 1834. Portës së Lartë iu njoftua se pasuria e të ndjerit ishte mjaft e madhe, “Prandaj…të vihet dorë mbi to, të regjistrohen dhe të dërgohen menjëherë në Stamboll”. Duket që beu nga Ngurrëza nuk e ka gëlltitur dot këtë nëpërkëmbje, ndaj u ngrit të bënte pushkë e të përzinte turqit nga trojet e veta dhe tërë nahija e Beratit.
Në krye të Besëlidhjes u etiketua si askush tjetër sepse turma e mbledhur në Berat prej Tafil Buzit shtohej përditë dhe si komandant i saj “u caktua një udhëheqës shqiptar, këmbëngulës, i quajtur Abaz beu nga Lushnja”. Sipas Stambollit, tani ai ishte “kryetar i tërë keqëbërësve” dhe madje ata “janë bashkuar në një shpirt me kryetarin”. Dihet që forcat e Besëlidhjes e morën kalanë e Beratit dhe nisën të vetadministronin tërë krahinat. Me lejen e Pleqësisë, Tafil Buzi u lidh edhe me sundimtarin e Egjiptit. Fryma e Beratit po përhapej shpejt tek shqiptarët. Abaz beu bëhej përditë e më i vendosur; besimi popullor për të po rritej frikshëm. Kjo e shqetësoi shumë Stambollin. Ose do ulej e të pranonte kërkesat e Pleqësisë, ose do të niste një luftë, fundi i së cilës nuk dihej. Vet ministri turk i Luftës shkoi tek veziri i madh posacërisht për situatën e krijuar. Ata u njohën me propozimet e Pleqësisë, të cilat ishin “cështje që prekin interesat e shtetit, ndaj nuk ka masë të përshtatshme, përvec se të tregohet forca”…
…Por nuk është qëllimi ynë analiza e kësaj kryengritjeje antiosmane. Ne po evidencojmë aq sa mundemi përmbajtjen e figurës së Abaz bej Lushnjës, e cila në këtë rast është qendrore. Për kokën e tij Porta e Lartë lëshoi ferman. Mirëpo urdhëri nuk u bë i njohur e, natyrisht, nuk u ekzekutua. Thjesht, turqit i trembeshin zbatimit të vendimit për dënimin e tij. Ata nuk mund ta bënin këtë hap, sepse beu “është nga familje fisnike. Prandaj, shpallja fermanlli nuk përputhet me kohën”
Pra, pushtuesit osman, kundërshtarët më të ashpër të tij, e vlerësuan, qoftë edhe sipas parimit të tyre : “dora që nuk kafshohet duhet të puthet”.
Kështu tre vjet më parë në Shtëpinë historike të Kongresit të Lushnjës me rastin e 100-vjetorit të Kongresit Historik, atdhetari Abaz bej Lushnja u vlerësua (pas vdekjes) me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributeve të shquara atdhetare si një nga drejtuesit kryesorë të kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut në fillim të shekullit XIX”.