Dinastia e Qyprillinjve fillon me kryevezirin (kryeministër) e Perandorisë Osmane
Qyprilli Mehmet Pasha në vitet 1656-1661,
Qyprilli Fazil Ahmet Pasha (1661-1676),
Qyprilli Kara Mustafa Pasha (1676-1683),
Qyprilli Fazil Mustafa Pasha (1689-1691),
Qyprilli Hysen Pasha (1698-1702),
Qyprilli Numan Pasha (1710, dy muaj e tre ditë) dhe përfundon me
Fuad Qyprilli zëvendës-kryeministër, ministër Shteti dhe ministër i Jashtëm i Turqisë moderne.
Ndër të parët e kësaj familje me rol të rëndësishëm qeverisës është Qyprilli Mehmet Pasha (1656-1661). Veziri i madh, përuroi një periudhë qëndrueshmërie të qeverisjes, e cila u shoqërua me rivendosjen e prestigjit të Perandorisë Osmane në të gjitha fushat. Në këto vite, që ndryshe janë quajtur edhe “Koha e Qyprillinjve” frenat e pushtetit osman ishin në duart e kësaj familje. Kjo periudhë kohe fillon me sadrazemin (kryeministër) 80-vjeçar Mehmet Pasha dhe vazhdon me disa personalitete nga fëmijët dhe nipërit e tij.
Fazil Qyprilli Pasha (1661-1676), njihet si mbrojtës i njërës prej figurave të njohura hebraike, Zabata Zevi, që në vitin 1666 e shpalli veten si Mesia i Ri. Ky hebre nga Izmiri, i armiqësuar me hebrenjtë e “besimit të vërtetë”, mes tyre edhe rabini i madh ishte dënuar nga të tijët me vdekje, por në vend të dënimit Veziri i Madh urdhëroi që Zabata Zevin ta shpinin në Shqipëri, në vendlindjen e babait të vet, Berat, ku edhe vdiq më 1675 ose më 1676. Në guxim, aftësi dhe shkathtësi ishte i njëjtë si babai i vet. Dallohej më tepër edhe me dituri, bujari, urtësi, maturi. Ka lënë shumë pasuri të vlefshme (hajrate), si në Stamboll, ashtu edhe në Qyprilli. Kishte edhe talent për poezi. Sipas poetit akademik Xhevahir Spahiu, gjatë kohës që Fazil Mehmet Pashë Qyprilliu ishte në krye të veziratit në vitet 1670, ai dërgoi në vendin e të parëve të tij, Berat, (në këtë kohë një nga qendrat më të zhvilluara ekonomike), gjeografin dhe kronikanin e njohur turk, Evelia Çelebiu, i cili shkroi për atë çfarë pa dhe dëgjoi për Beratin dhe beratasit.
Qyprilli Fazil Mustafa Pasha (1689-1691). Ai ishte djali i Vezirit të parë Mehmet Qyprili dhe shërbeu 2 vjet e 3 muaj. Ishte djali i dytë i Mehmet Pashës dhe vëllai i Ahmet Mustafa Pashës. Ishte edukuar në medresetë turke. Ashtu si vëllai i tij, Fazil Ahmet Pasha, në vend të drejtimit me dorë të hekurt Qyprilli Fazil Mustafa Pasha e zëvendësoi forcën me drejtësinë. Një nga urdhrat e para të nxjerra nga Qyprilliu, ishte të trajtoheshin mirë të krishterët dhe të mos kërkonin prej tyre taksa të tjera veç taksës për frymë. Hameri shkruan këto fjalë: “Nëse shembulli i humanizmit, për të cilin i urti Qyprilli kishte dhënë prova kundrejt të krishterëve nënshtetas të Portës së Lartë, do të ishte ndjekur nga vezirët e mëdhenj, pasues të tij, dhe nëse do të ishin zbatuar masat e tij të reja, atëherë mirësia dhe fuqia do të kishin triumfuar me lehtësi ….” Jean-Claude (“Historia e Shqipërisë”).