Këshilli i Ministrave i Shqipërisë mbështeti të premten një projektligj që legalizon përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se një agjenci që do të kontrollonte procesin është në prag të krijimit.
Ideja është përhapur për disa kohë, por gjithashtu është kundërshtuar, duke pasur parasysh historinë e keqe të vendit me prodhimin dhe trafikun e paligjshëm të kanabisit.
Kryeministri Edi Rama kishte pyetur qytetarët për këtë çështje përmes një “Ankete Kombëtare” që është kritikuar si jo e pavarur. Ai tha se 61 përqind e qytetarëve të anketuar ishin në favor të legalizimit të kanabisit për arsye mjekësore dhe industriale.
“Qëllimi i këtij projektligji është rregullimi dhe garantimi i procesit të kontrollit dhe mbikëqyrjes së kultivimit, prodhimit, përpunimit dhe eksportit të kanabisit, nënprodukteve dhe produkteve finale të tij”, tha Manastirliu të premten.
Shqipëria ka një histori të gjatë të rritjes dhe trafikimit të kanabisit që nga rënia e komunizmit tre dekada më parë.
Për rreth 15 vjet, deri në vitin 2014, fshati Lazarat në jug të Shqipërisë u bë “kryeqyteti europian i rritjes së kanabisit”, një zonë ku policia nuk guxonte të hynte dhe e cila u shtyp vetëm nga një operacion i stilit ushtarak.
Megjithatë, kultivimi i kanabisit mbetet një çështje akute në vend dhe qeveritë e Edi Ramës janë akuzuar për bashkëpunim me trafikantët, raporton Balkan Insight.