Për herë të parë/ Një Musical “ à la Paris” në Shqipëri.

Për herë të parë në Shqipëri do të vihet në skenë një komedi muzikore e zhanrit Vaudeville.

“Vrasje në Paris” titullohet shfaqja nën regjinë e Laert Vasilit, ku do të jetëzohet Parisi i fundit të shekullit XIX, me problemet e tij sociale, që siç duket, janë të pranishme edhe sot në shoqërinë tonë.

Autori francez Eugen Labiche satirizon jetën e shthurur të borgjezisë franceze, të përqëndruar vetëm tek paraja, ndërsa Laert Vasili do ta sjellë me një miksim të Parodisë, Satirës dhe Vaudeville-t, por nuk mungojnë tek-tuk edhe notat melodramatike, të madam Norinesë, interpretuar nga Eva Pango, e dërrmuar nga fakti që të gjithë e shfrytëzojnë për para. Kështu, ajo stis një situatë që i nxjerr të gjithë personazhet zbuluar,  me në qendër bashkëshortin e saj Lenglumenë. E gjitha kjo në bashkëpunim me shërbëtorin besnik Justine, të interpretuar me elegancë nga Artan Islami.

Shkak do të bëhet “Çadra” e kushëririt Potard, interpretuar nga Afrim Agalliu, nga personazhet më të dashur të publikut shqiptar.  Një nga “ Parodistët e Vlorës” që regjisori Vasili vendos ta risjellë përsëri në skenë. Personazhi që mbart “misterin e situatës” interpretohet nga Margent Caushi, nën rolin e Mistingue-së, mikut të rrezikshëm të zotërisë Lenglume, interpretuar nga vet regjisori.

Por “aroma e Parisit” të shekullit XIX nuk do të ndihej pa muzikën që do të shoqërojë gjatë gjithë kohës shfaqjen, ku disa prej personazheve do të vijnë me këngë të personalizuara, apo me duete, të punuara nga mjeshtri Artur Dhamo. Edhe muzikanti Viktor Tahiraj do të përcjellë rrezikshmërinë me anën të disa tingujve dhe batutave. Gjithashtu, zhvendosja kohore ndihet me anën e skenografisë së Drini Shehut.

Shfaqja do të hapet për publikun nga data 21 Prill, në Teatrin Petro Marko, Vlorë.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here