Në një ditë si sot dhe pikërisht më 26 mars të vitit 1451, Gjergj Kastriot Skënderbeu lidhi një aleancë me mbretin e Napolit, Alfonson e V-të të Aragonit (1396-1458).
Përmes këtij akti zunë fill edhe marrëdhëniet hispano-arbërore, deri atëkohë inekzistente. Me nisjen e mbretërimit të tij në vitin 1442, nën gjurmët e normanëve, Alfonso nisi aplikimin e një politike ballkanike ambicioze.
Në sajë të traktatit të nënshkruar, që njihet në historiografi si “Traktati i Gaetës”, palët bashkërendonin forcat në luftën kundër pushtimit turk të Arbërisë. Megjithatë, nga pikëpamja formalo-juridike kishim të bënim me një traktat vasaliteti me kushte të caktuara dhe të parashikuara shprehimisht.
Deri në shuarjen e Skënderbeut në vitin 1468, Alfonsi i parë dhe më pas i biri, Ferrante I (1458-1494) vijuan të kontribuonin në luftën kundër osmanëve. Në këmbim, Skënderbeu së bashku me një ushtri prej 4 000 vetësh, u nis drejt Napolit, për të ndihmuar Ferranten gjatë një revolucioni pro-anzhuin të fisnikërisë që pati shpërthyer në mbretëri në vitin 1462.
Kjo marrëdhënie e llojit ushtarak, qendron në themel të kontakteve diplomatike që shqiptarët mbajtën gjatë shekullit të XV-të.