Dodona- aty ku perënditë i folën për herë të parë njeriut
Në orakullin e Dodonës kanë qenë tre priftëresha-falltare, të cilat quheshin Peliades dhe në kohën e Herodotit ishin Promenia, Timaritis dhe Nikandra. Priftëreshat dodonase ishin pasardhës të familjeve të vjetra, origjina e të cilave humbet në thellësi të shekujve. Me to shërbenin edhe priftërinj meshkuj, të quajtur tomurë.
Gjatë ritualit të orakullit, priftëreshat këndonin këtë himn, të cilin Pausanias e shkruan si të tillë: “Zeusi ishte, është dhe do të jetë. Zeus i Madh! Frutat jepen nga toka mëmë, lavdëro tokën mëmë. Zeusi ishte, Zeusi është, Zeusi do jetë. O Zeus i madh! Dheu le të japë fryt, se ti thërret, Mëmë Gaia!)”. Adhurimi i Gaiasë së lashtë përzihet me adhurimin e perëndisë pellazgjike Zeus dhe krijoi një çift simpatik hyjnor.
Orakulli i Dodonës është më i vjetri në Ballkan dhe në kohën e Pellazgëve ishte i vetmi që ekzistonte. Pellazgët luteshin dhe flijonin te perënditë pa emër, derisa, në kohën e Homerit dhe Hesiodit, mësuan emrat e perëndive egjiptiane.
Sipas mitologjisë dy pëllumba të zinj fluturuan nga Teba e Egjiptit. Njëri shkoi në Libi, ku u themelua Orakulli i Amon Zeusit dhe tjetri në Dodonë, ku ndodhej një vend i shenjtë i lashtë i Nënës Tokë. Pasi qëndroi në një lis, pëllumbi foli me një zë njerëzor dhe tha që atje duhej të ngrihej Orakulli i Dodonës për hir të Zeusit Pellazg.