PËRKUJTIMORE -580 VJET BESËLIDHJA e LEZHËS

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 2 mars 1444 u mbajt Besëlidhja e Lezhës në Katedralen e Shën Nikollës, në Lezhë nga prijësi i Principatës së Kastriotëve Gjergj Kastrioti. Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë principatave të vendeve të Ballkanit e më gjerë të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit. Princërit më të dëgjuar që morën pjesë ishin këta: Gjergj Arianiti; Andrea Topia (Thopia), Stërnip i Karol Thopisë, princ i krahinës midis Krujës dhe Durrësit, i shoqëruar nga dy djemtë e tij dhe nga i nipi Tanush Topia; Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa princër të tjerë të Myzeqesë; Gjergj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës; Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë gjer në kufi të Serbisë; Lek Zaharia Altisferi, princ i Danjës; Pjetër Spani, princ i Malësive të Shoshit e të Shalës i shoqëruar nga të katër djemtë e tij; Lek Dushmani, princ i Zadrimës; Stefan Çernojeviçi, princ i Malit të Zi. Veç këtyre u mblodhën në Kuvend edhe përfaqësues të republikës së Venedikut si vëzhgues.

Kuvendi i Lezhës krijoi një aleancë politike dhe ushtarake të fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë. U bë i pari bashkim politik në shkallë mbarë shqiptare që njihet në historinë e vendit. Në kuadrin e këtij Kuvendi, të njohur ndryshe në historiografi me termin “Besëlidhje”, fisnikët shqiptarë ruajtën të gjitha të drejtat që kishin mbi zotërimet e tyre.
Skënderbeu, si kryetar i Besëlidhjes, nisi të organizonte ushtrinë që përbëhej nga forcat e përhershme dhe nga forcat që do të mobilizoheshin në rast lufte. Forcat e përhershme u formuan nga repartet e sundimtarëve shqiptarë, sipas kuotës së caktuar nga Kuvendi i Lezhës. Në ushtrinë prej 8000 kalorësish dhe 7000 këmbësorësh, një të tretën e përbënte garda e Skënderbeut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here