Gjashtë Janari është festa e Shfaqja e Perëndisë (Theofania, Epifania) dhe Bekimi i ujit. Fillimisht ishte vetëm një festë e “shfaqjes së Perëndisë” në botë, në formë njerëzore. Ajo përfshinte kremtimin e Lindjes së Krishtit, adhurimin e Magëve dhe gjithë ngjarjet e fëmijërisë, si rrethprerjen dhe paraqitjen në Tempull, si edhe pagëzimin prej Joanit në Jordan. Nuk ka dyshim, që kjo festë, si edhe Pashka dhe Rushajet, u kuptua si përmbushja e një feste të mëparshme judaike, në këtë rast, Festa e Dritave. Epifani do të thotë shfaqje e sipërme. Festa quhet shpesh, sikurse është në librat e shërbesave orthodhokse, Theofani, që do të thotë shfaqje e Perëndisë. Theksi në këtë festë është në shfaqjen e Jisuit, si Mesia njerëzor i Izraelit dhe Bir hyjnor i Perëndisë, Njëri nga Trinia e Shenjtë me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë. Gëzuar të gjithëve!
Gëzuar vëllezërve dhe motrave në Krishtin, Theofani, Theofania, Epifani, Epifania, Fan, Fani, Fania, Fanulla, Teo, Foti, Foto, Fotaqi, Teofani, Fotini, Fotinia, Fotina, Fotika, Fotiana, Jordani, Drita, Dritan, që mbajnë emrin dhe festojnë në nderim të Shfaqjes së Perëndisë (Theofanisë apo Epifanisë) gjatë Pagëzimit të Zotit tonë Jisu Krisht në lumin Jordan, sot, dt. 6 janar!
Shfaqja Perëndisë (Theofania apo Epifania) gjatë Pagëzimit të Zotit tonë Jisu Krisht në lumin Jordan. Vepër e Onufrit, shek. XVI, Tempera në dru. Ndodhet në Muzeun e Artit Mesjetar, Korçë. Marrë nga Kisha e Ungjillëzimit, Berat.