Një nga traditat e zonës së Epirit quhet “Vasilopita” (pita / kulaçi i shën Vasilit) dhe na vjen nga jeta e shën Vasilit të Madh (shekulli IV), të cilin e kremtojnë më 1 janar. Perandori, Julian Apostati (Mohuesi), i cili donte të rikthente fenë pagane në Perandorinë Romake, i hapi luftë kryepiskopit Vasil dhe qytetit të Qesarisë. Shën Vasili i tha popullit që të mblidhnin monedha argjendi dhe ari dhe t’i vendosnin në rrugë që, kur të kalonte Juliani lakmitari nëpër qytet, të shihte arin dhe argjendin e t’i zbutej zemërimi. Por Julian Apostati u vra në betejë ndaj dhe doli një problem se si do të shpërndahej argjendi dhe ari i grumbulluar nga besimtarët, pasi ata, nga nxitimi, nuk kishin mbajtur inventar. Shën Vasili mendoi një zgjidhje të përsosur: Të bëhej brumë dhe me të të bëheshin kuleç, ku çdo kulaç të kishte të futur nga një monedhë dhe secili që kishte dhuruar monedha, të merrte nga një bukë me një monedhë brenda, duke e pranuar atë si një ndarje të drejtë nga Perëndia dhe në këtë mënyrë u nda me paqe ari dhe argjendi i grumbulluar.
Kjo traditë e vjetër vazhdon deri më sot, amvisat në shtëpi bëjnë një “vasilopitë”, kulaç, kek ose byrek, që ka brenda një monedhë. Sipas zakonit të krishterë, kryetari i shtëpisë e ndan vasilopitën (kulaçin e Shën Vasilit) në copa, në fillim një për Zotin, një për të Tërëshenjtën Mari, një për shën Vasilin dhe pastaj për pjesëtarët e familjes, ku secili, sipas radhës, nga më i vogli deri te më i madhi, merr një copë, dhe atij që i bie leku, shikohet si me “fat” atë vit!
Viti i Ri nuk ka aspak karakter magjik, por është thjesht një fillim i një viti ri kalendarik. Kalendari është një sistem matës i shpikur nga njerëzit me anë të të cilit bëhet krahasimi apo matja e kohës periodike gjatë një intervali të caktuar që zakonisht quhet vit.
Ndarja e vitit në 365 ditë filloi të shfaqej në fillim në Egjiptin e lashtë më 2769 para Kr. Për babilonasit, viti i ri fillonte me muajin mars, me pranverën, rilindjen e natyrës. Edhe romakët kishin muajin e parë të vitit marsin, por perandori Jul Cezari, në vitin 46 para Kr, krijoi një tjetër kalendar që e vendoste muajin e parë të vitit, janarin, për nder të perëndisë pagane Janusit “zotit të portave të mbyllura”. Përsëri ky muaj ndryshoi në Perandorinë Bizantine, ku muaji i parë dhe dita e parë e vitit ishte 1 shtatori.
Në vitin 1582 në kohën e papa Gregori XIII, u organizua një kalendar i ri dhe u rivendos përsëri janari si muaji i parë i vitit. Por edhe Kalendari gregorin ka mangësi ai gabon me një ditë në çdo 3236 vjet.
Data 1 janar, si fillim i vitit të ri, është pranuar relativisht vonë në vende të ndryshme të Europës dhe të botës. Në fillim u pranua në vende me ndikim të papatit si Anglia në vitin 1752 dhe njëkohësisht dhe në Amerikë nga kolonët që u vendosën aty, disa pjesë të Gjermanisë e bënë ndryshimin e kalendarit vetëm në 1698. Vendet me besim orthodhoks e pranuan më vonë kalendarin Grigorian, si psh Greqia në 1923, kurse vendet me popullsi myslimane më vonë, si Turqia në 1927. Shqipëria e pranoi kalendarin e ri në 1912.
Le të gëzojmë të gjithë në çdo vend të botës, një Vit të Ri të mbarë e të bekuar nga Zoti.